Pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) Në Qendrën Nacionale të Trajnimit për Kërkim Shpëtim kanë përmbyllur me sukses Trajnimin Bazik të Kërkim-Shpëtimit Malor, i organizuar për ngritjen e kapaciteteve profesionale në operacionet në terrene të vështira.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrësit gjatë këtij programi kanë fituar njohuri dhe aftësi të specializuara, duke përfshirë orientimin në terren malor, teknikat themelore të alpinizmit, përdorimin e pajisjeve teknike, menaxhimin e situatave emergjente, operacionet e kërkim-shpëtimit në zona të vështira, si dhe dhënien e ndihmës së parë në kushte malore.
Trajnimi është zhvilluar në përputhje me standardet profesionale dhe ka për qëllim rritjen e gatishmërisë operacionale të Forca e Sigurisë së Kosovës, për të reaguar në mënyrë efikase në raste emergjente dhe operacione kërkim-shpëtimi në mjedise malore, në kuadër të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile.