Analisti Ylli Hoxha vlerësoi se situata politike ka shfaqur një dozë më të madhe optimizmi, por theksoi se ende nuk ka garanci për një marrëveshje që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, ftesat për takime janë dorëzuar në momentet e fundit të afatit kushtetues. Ai bëri të ditur se ftesat e drejtuara ndaj AAK-së dhe PDK-së janë refuzuar, ndërsa LDK-ja e ka pranuar ftesën dhe takimi është caktuar për nesër në orën 18:00.
Hoxha ngriti dilema për mënyrën se si janë zhvilluar këto ftesa, duke pyetur se nëse nuk ka qenë e mundur të zhvillohej një diskutim substancial me LDK-në më herët, atëherë cila ka qenë pengesa që negociatat me AAK-në dhe PDK-në të mos nisin shumë më parë.
“Realisht nuk ka pasur asnjë pengesë që ftesat për AAK-në dhe PDK-në të dërgoheshin më herët. Përgjigjet negative erdhën pasi këto ftesa u dërguan më shumë sa për sy e faqe, sesa me një qëllim serioz për t’i përfshirë në skemën e zgjedhjes së qeverisë”, u shpreh ai.
Sipas Hoxhës, zhvillimet e sotme tregojnë se objektivi kryesor është arritja e një marrëveshjeje me LDK-në.
Megjithatë, ai vlerësoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, hyn në këto negociata në një pozitë të dobësuar, pasi Kuvendi i partisë dëshmoi ndarje të brendshme. Sipas tij, ndonëse Abdixhiku i mbijetoi mocionit të votëbesimit, ai nuk arriti ta shfrytëzojë atë proces për të krijuar kohezion brenda partisë.
“Përkundrazi, në Kuvend u thellua përçarja, edhe për shkak të tonit antagonizues të fjalimeve dhe paraqitjeve të tij ndaj grupit që kishte iniciuar mocionin”, tha Hoxha.
Ai shtoi se një marrëveshje eventuale do të kërkojë mbështetjen e plotë të LDK-së në Kuvend, pasi vetëm kështu mund të jetë e suksesshme.
Sipas Hoxhës, nëse Albin Kurti vendos ta shfrytëzojë dobësinë e Abdixhikut në negociata, atëherë oferta ndaj LDK-së mund të jetë më e kufizuar.
Në fund, ai theksoi se çështja kyçe mbetet pesha që LDK-ja do ta ketë në zgjedhjen e presidentit.
“Nëse vendimi për presidentin i lihet taborit opozitar, atëherë kjo do të ishte një marrëveshje e mirë, e pranueshme jo vetëm për PDK-në dhe AAK-në, por edhe për opinionin publik”, deklaroi Ylli Hoxha në Debat Plus.