Të mërkurën e 30 nëntorit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë vizituar Komunën e Kamenicës.

Kjo vizitë e tyre vjen në kuadër të fushatës kundër dhunës në baza gjinore e dhunës në familje.

Të dyja ministret së bashku me kryetarin e komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë vizituar Shkollën Fillore të Mesme të Ulët, “Xhavit Ahmeti” në fshatin Hodonoc.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ndryshe, të martën, ministrja Haxhiu, në tryezën ku është diskutuar për dhunën, ka thënë se prokurorët dhe gjyqtarët do të duhej të ishin në krye të detyrës për t’i luftuar rastet e dhunës, qofshin ato në baza gjinore apo edhe në familje.

Sipas saj, sa herë ka pasur raste të tilla të dhunës në familje, është parë dështimi i një hallke e shtetit.

“Më vjen shumë keq që gjyqtarët e prokurorët nuk janë sot me ne, pikërisht ata që do të duhej të ishin në krye të detyrës sidomos për luftimin e këtyre fenomeneve, qoftë të dhunës në baza gjinore apo të dhunës në familje e dhunës ndaj grave, sepse siç jeni në dijeni edhe rastet që i kemi pasur së fundmi, gjithnjë ka ndodhur një rast kur kemi parë dështimin e një hallke ndaj atyre rasteve dhe pjesën më të madhe ka qenë prokuroria apo në anën tjetër gjykatat me dënimet e vogla apo minimale ndaj rasteve të tilla”, është shprehur ajo.

Sipas saj, mbrojtësit e viktimave nuk janë lejuar të jenë prezent në këtë takim, dhe kjo për ministren Haxhiu është e pajustifikuar.

Ajo ka theksuar se për këtë veprim do të duhet të jepet përgjegjësi.