G-7, Evropa arrin marrëveshje për kufirin e çmimit të naftës ruse
Vendet e industrializuara të Grupit të Shtatëshes po vendosin një çmim tavan për produktet e rafinuara të naftës ruse, si pjesë e një koalicioni që përfshin Australinë dhe një marrëveshje tentativë me Bashkimin Europian, ka bërë të ditur sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen. Kjo do të thotë se do të ketë kufij të çmimeve […]
Vendet e industrializuara të Grupit të Shtatëshes po vendosin një çmim tavan për produktet e rafinuara të naftës ruse, si pjesë e një koalicioni që përfshin Australinë dhe një marrëveshje tentativë me Bashkimin Europian, ka bërë të ditur sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.
Kjo do të thotë se do të ketë kufij të çmimeve të vendosura për eksportet ruse të naftës, me synimin për të reduktuar burimet financiare që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka për të zhvilluar luftën gati tashmë njëvjeçare në Ukrainë.
“Marrëveshja e sotme bazohet në kufirin e çmimit për eksportet e naftës së papërpunuar ruse që kemi vendosur në dhjetor dhe ndihmon në avancimin e synimeve tona për të kufizuar gjeneruesin kryesor të të ardhurave të Rusisë në financimin e luftës së saj të paligjshme duke promovuar tregje të qëndrueshme globale të energjisë”, tha në një deklaratë Yellen, transmeton “Zëri i Amerikës“.
Të premten e 3 shkurtit, qeveritë e BE-së ranë dakord që të vendosin një çmim tavan prej 100 dollarësh për fuçi për naftën ruse që do të përkojë me një embargo të BE-së për karburantin.
Çmimi tavan synon të zvogëlojë të ardhurat e Rusisë duke lejuar naftën e saj të tregtohet në vendet joperëndimore për të shmangur një mungesë globale që do të rriste çmimet dhe inflacionin.
Hollësitë rreth kufirit u dhanë në një deklaratë të G7-ës dhe diplomatëve nga tre vende të ndryshme anëtare të BE-së, të cilët ranë dakord të diskutonin kufirin në kushte anonimiteti.
Kufiri prej 100 dollarësh për fuçi zbatohet për benzinën ruse dhe karburantet e tjera që shiten më shumë se nafta e papërpunuar e përdorur për prodhimin e tyre. Zyrtarët ranë dakord për një kufi prej 45 dollarësh për fuçi për produktet ruse të naftës që shiten më pak se çmimi i naftës së papërpunuar.
Marrëveshja vjen pas një marrëveshjeje të ngjashme të G7-ës për të kufizuar çmimin e naftës së papërpunuar ruse në 60 dollarë për fuçi.
Rusia ka thënë se nuk do t’u shesë vendeve që i binden kufirit të naftës, por për shkak se nafta e saj shitet për më pak se 60 dollarë për fuçi, ajo ka vazhduar të shesë në tregun global. Kufiri i çmimeve inkurajon klientët joperëndimorë që nuk e kanë ndaluar naftën ruse të kërkojnë zbritje, ndërkohë që evazioni i plotë – edhe pse i mundshëm – mbart kosto shtesë.
Ambasadorët e 27 vendeve të BE-së parashtruan vendimin dhe qeveritë kanë kohë deri të shtunën herët për të reaguar me një kundërshtim me shkrim. Nuk pritet asnjë ndryshim në marrëveshje.
Shitjet e naftës mbeten shtylla kryesore e buxhetit të Rusisë, por qeveritë evropiane hezituan më parë të ndërpresin blerjet e tyre, sepse ekonomia ishte shumë e varur nga gazi natyror rus, nafta dhe bezina.















