G-7 ofron mbështetje afatgjatë për Ukrainën

Presidenti Biden tha se ndihma përfshin municione, mjete të blinduara dhe pajisje të tjera për forcat ukrainase

Presidenti amerikan njoftoi se Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës një paketë të re ndihme ushtarake, me vlerë prej 375 milionë dollarësh. Presidenti Biden tha se ndihma përfshin municione, mjete të blinduara dhe pajisje të tjera për forcat ukrainase.

Udhëheqësit e G-7 i bën jehonë deklaratës së presidentit Biden, ndërsa kancelari gjerman dhe presidenti francez u shprehën kundër çdo zgjidhjeje pa tërheqjen paraprake të të gjitha trupave ruse nga Ukraina.

Gjatë ditës së fundit të takimit treditor të G-7-ës në Hiroshima të Japonisë, presidenti Joe Biden njoftoi për një ndihmë të re ushtarake prej 375 milionë dollarësh.

“Sot po njoftoj për një paketë që përfshin më shumë municione, artileri dhe automjete të blinduara, për të forcuar aftësitë e Ukrainës në fushën e betejës. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë Ukrainën të mbrohet, të rimëkëmbet dhe të rindërtohet. Bashkë me udhëheqësit e tjerë në këtë takim, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën dhe unë premtoj se kjo nuk do të ndryshojë”, tha presidenti Joe Biden gjatë takimit me homologun ukrainas, Zelensky.

“Faleminderit shumë zoti president. Fillimisht faleminderit për ndihmën dhe mbështetjen tuaj dhe për këtë ndihmë të re. Faleminderit shumë nga populli im dhe jam shumë i lumtur që kemi marrëdhënie kaq të forta”, tha presidenti Zelensky.

Udhëheqësit e demokracive më të pasura në botë i bënë jehonë deklaratës së zotit Biden, duke u zotuar se do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën, një paralajmërim drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, i cili përmes një deklarate të lëshuar nga Kremlini tha se forcat ruse kishin marrë nën kontroll qytetin e Bakhmutit.

Sulmi në qytetin lindor ukrainas, pothuajse i rrafshuar nga lufta, u drejtua nga trupa të grupit të mercenarëve Wagner, udhëheqësi i të cilit Yevgeny Prigozhin tha se trupat e tij më në fund i kishin përzënë ukrainasit nga zona e fundit brenda qytetit.

“Ushtarët ukrainas sot kryejnë një detyrë shumë të rëndësishme ndërsa mbajnë pozicionet e tyre në Bakhmut, vendndodhje që do t’i mbajmë sekret. Kjo do të thotë se qyteti i Bakhmutit nuk është pushtuar nga Federata Ruse. Nuk mund të ketë asnjë interpretim tjetër të situatës”, tha presidenti Zelensky.

Dy udhëheqësit kryesorë evropianë në takimin e G-7, kancelari Olaf Scholz dhe presidenti Emmanuel Macron u shprehën kundër çdo mundësie që lufta të shndërrohej në një “konflikt të ngrirë”, ose kundër çdo propozimi për bisedime paqeje pa tërheqjen e trupave ruse.

“Ka shumë sugjerime se si mund të sigurohet paqja dhe si është e mundur të dalësh nga kjo luftë. Është gjithashtu e rëndësishme që të kuptohet se kjo luftë nuk mund të shndërrohet në një konflikt të ngrirë dhe se Rusia mund të mbajë territoret e pushtuara. Rusia duhet të tërheqë trupat”, tha kancelari Scholz.

Takimi i nivelit të lartë në Hiroshima i dha gjithashtu një mundësi presidentit Zelensky për të kërkuar mbështetje nga udhëheqës të tjerë, si kryeministri indian Narendra Modi dhe presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva, të cilët nuk janë rreshtuar hapur në krah të Ukrainës.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika