Lumir Abdixhiku, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, ka premtuar se gjatë mandatit të tij të parë, do të ndërtohet një Qendër Kombëtare e Sportit, e cila do të përfshijë një ‘Gaming Hall’ me kapacitet prej 2000 ulësesh, të pajisur me teknologjinë më të fundit për organizimin e turneve ndërkombëtare të lojërave elektronike.

Investimi për këtë projekt sipas Abdixhikut, pritet të jetë 8 milionë euro.

“GAMING HALL për Gamers! 8 milion euro investim për E-Sports!

Vizitë e këndshme sot me komunitetin e ‘gamerave’ të Kubix Gaming Center në Prishtinë. Dust 2 ishte ende aktiv. Paketasha kishte ende. Por, refleksat e këtyre djemve kishin ndryshuar. Nuk po të falshin!

Nuk ka kaluar shumë kohë prej kur ekipi Bad News Eagles u bë i njohur botërisht me suksesin e madh në turnetë ndërkombëtar të lojës së njohur kompjuterike Counter Strike, dhe i madh e i vogël në Kosovë u njohën me këtë lojë përmes përfaqësimit të denjë që ky ekip i bëri vendit. Në fakt, u ndjemë krenar, njësoj si ndjehemi kur përfaqësuesit tanë sportiv korrin suksese në paraqitjet ndërkombëtare të Kosovës.

Kjo është pra epoka në të cilën jetojmë. Një lojë kompjuteri u shndërrua në objekt krenarie kombëtare, derisa ne u bindëm se rinisë sonë i duhet vetëm mbështetje, hapje e mundësive dhe asgjë tjetër, sepse për shkëlqimin në arenat botërore në çfarëdo fushe ata përkujdesen vet.

Djemve të Kubix Gaming Center u tregova për Qendrën Kombëtare të Sportit të cilën do ta realizojmë në mandatin tonë të parë, ku është paraparë edhe një Gaming Hall modern me 2000 ulëse, i pajisur me teknologjinë e fundit, për të mundësuar organizimin e turneve të lojërave elektronike që i përkasin kohës digjitale. Sikurse sportistët, artistët dhe të gjitha komunitetet në vend, edhe komuniteti në rritje i ‘gamerave’ meriton ta ketë përkrahjen e shtetit dhe ekosistemin adekuat për zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe arritjen e potencialit të plotë, dhe këtë përkrahje do ta kenë me qeverinë tonë të ndryshimit me 9 shkurt”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.