GAP: Tërheqja e 30 përqindëshit nga Trusti mund të ketë kundërefekt në ekonomi

Sipas raportit të institutit "GAP", reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale të qytetarëve dhe mbështetja e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti mund të kenë kundërefekte në ekonomi

Instituti GAP të dielën ka publikuar një raport për “Ndikimin e luftës në Ukrainë në ekonominë e Kosovës”.

GAP, ka rekomanduar që politikat qeverisëse duhet të jenë të atilla që të mos stimulojnë kërkesën për produktet si energji elektrike, naftë, grurë, misër e vaj, ku Kosova është neto importuese e tyre.

Nga ky raport është thënë se reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale të qytetarëve dhe mbështetja e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve pensionale nga Trusti mund të kenë kundërefekte në ekonomi.

“Lidhur me situatën aktuale, Instituti GAP rekomandon që politikat e qeverisë duhet të jenë të atilla që nuk e stimulojnë kërkesën për këto produkte. Në këtë pikë, reduktimi i normave tatimore në të ardhurat personale për të gjithë qytetarët dhe mbështetja e nismave sikurse ajo për tërheqjen e 30% të kursimeve nga Trusti pensional, mund të prodhojnë kundërfekte në ekonomi”, thotë raporti.

Më tutje thuhet se, është e rëndësishme që qeveria me të hyrat e arkëtuara përtej planifikimit, si rezultat i çmimeve të larta, të mbështesë edhe më shumë grupet më të pambrojtura të shoqërisë, që rrezikojnë të bien në varfëri, sikurse qytetarët që janë pjesë e Skemës së Ndihmës Sociale dhe ata që mund të humbin vendet e punës.

Më tutje, thuhet se Qeveria duhet të jetë e kujdesshme që të mos ndërmarrë politika, të cilat janë prociklike, që e stimulojnë edhe më tutje kërkesën e madhe agregate për produktet e shtjelluara në këtë analizë, e që mund të kenë kundërefekt në ekonomi.

“Veçanërisht, iniciativa e disa deputetëve që qytetarëve t’u lejohet tërheqja e 30% të kursimeve në Trustin pensional, përveç se e dëmton stabilitetin e financave publike, ka efekt të kundërt me pritjet”, thuhet ndër të tjera.

GAP ka vlerësuar se subvencionimi në bujqësi dhe ulja e normës së akcizës për naftën për bujqit në vitin 2022, ishin masa adekuate.

Instituti ka bërë thirrje që të konsiderohen zgjedhjet e strategjive mbrojtëse për energji elektrike.

“Institucionet duhet të konsiderojnë zgjedhjen e strategjive mbrojtëse për energji elektrike këtë vit, marrë parasysh indikacionet për çmime të larta të importit të energjisë elektrike edhe në periudhën afatmesme”, thuhet nga GAP.

Po ashtu, në raport thuhet se lufta në Ukrainë ka ndikuar në rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë.

Sipas raportit “Rusia dhe Ukraina janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të disa produkteve kryesore bazike sikurse grurit, misrit, gazit, naftës, vajit dhe fertilizuesve, ku së bashku kanë nga 10 deri në 40% pjesëmarrje në eksportin botëror të këtyre produkteve”.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika