Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nuk duhet të përdor rastin e Astrit Deharit.

Të enjten e 16 shkurtit, Haki Abazi në lidhje me rastin e Astrit Deharit ka deklaruar se “ekzistojnë video-incizimet” ku shihet se “kush i ka zhdukur mostrat”. I ftuar në “FIVE” të RTV Dukagjini, Gashi ka thënë se Abazi duhet të tregojë konkretisht se çfarë incizimesh ka dhe jo të aludojë.

“Le të na tregojë konkretisht çfarë konkretisht ka, çfarë incizimesh ka, zbulimin e atyre që i kanë zhdukur mostrat e Astrit Deharit dhe përdorimi i rastit Dehari, në këtë situatë nga Deputeti Abazi për qëllimet e veta, për vajtimet e tij që kanë shkarkuar dy komisione mua nuk po më duket korrekt posaqërisht në raport me familjen Dehari sepse sa i përket neve ai  mund të thotë çfarë të dojë… mundet me i akuzu të gjithë por jo me përdor rastin Dehari”, ka deklaruar ai.

Të enjten e 16 shkurtit, Abazi ka thënë se pamjet e kamerave në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) mund të dëshmojnë se çfarë ka ndodhur me zhdukjen e mostrave në rastin e aktivistit, Astrit Dehari.

Ndryshe, mostrat e Deharit u zhdukën në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

Ndërsa për këtë rast u pezulluan nga puna katër zyrtarë të IML-së.

Gashi ka deklaruar se prokurori Afrim Shefkiu nuk e ka lejuar që të marrë pjesë në intervestimin e deputetit Haki Abazi të martën, veprim të cilin Gashi e kishte pritur dhe kishte dorëzuar kërkesën me shkrim. Për të njëjtën, nuk kishte pranuar përgjigje.