Gashi: Helikopteri nuk përdoret për shuarjen e zjarreve në objekte
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka treguar më shumë rreth çështjes së djeshme ku fabrika e reciklimit të qeseve në Drenas mori flakë. “Ajo është një ndër intervenimet më të rënda, në aspektin e zjarrfikjes dhe shpëtimit,” tha Gashi duke shtuar se është e vështirë për shuarjen e tij, sepse materia […]
Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka treguar më shumë rreth çështjes së djeshme ku fabrika e reciklimit të qeseve në Drenas mori flakë.
“Ajo është një ndër intervenimet më të rënda, në aspektin e zjarrfikjes dhe shpëtimit,” tha Gashi duke shtuar se është e vështirë për shuarjen e tij, sepse materia që ndizet aty është plastikë dhe ka qenë një grumbull i madh i plastikës.
Në emisionin “Rreth e Rrotull”, Gashi u shpreh se “nuk ka pasur standard për atë materie që të mbahet aty”, ku, sipas tij, në këto biznese që janë shumë të mëdha për të ruajtur materialin duhet të kenë sektore të ndara.
“Me rëndësi është që nuk ka pasur të lënduar, dëmet materiale janë gjithmonë ekzistente, por ato rikuperohen,” shtoi Gashi.
Ndërsa, për deklaratën që dha kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha që lind nevoja të kemi një helikopter që nuk e kemi si shtet, Gashi tha se helikopterët përdoren për shuarjen e zjarrit në zjarre fushore.
“Helikopteri nuk përdoret për shuarjen e zjarreve në objekte, por për terrene ku nuk mund t’i peshojë këmba e njeriut, pra zjarre fushore e malore,” përfundoi Gashi.















