Gashi: Kryetari i asnjë komune nuk mund të jetë teknik
Analisti politik, Dardan Gashi, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka asnjë mundësi që kryetari i një komune të jetë teknik. Deklarata e tij në emisionin Debat Plus erdhi pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të mërkurën ka deklaruar se nga këndvështrimi politik dhe duke marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët, pritej që kryetarët e […]
Analisti politik, Dardan Gashi, ka deklaruar se në Kosovë nuk ka asnjë mundësi që kryetari i një komune të jetë teknik.
Deklarata e tij në emisionin Debat Plus erdhi pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të mërkurën ka deklaruar se nga këndvështrimi politik dhe duke marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët, pritej që kryetarët e sapozgjedhur të komunave në veri dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, “duke qenë të vetëdijshëm për kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën”.
Gashi ka thënë se funksioni kushtetues i kryetarit është që t’i kryejë të gjitha punët në momentin e betimit dhe të ketë të gjitha funksionet e tij.
Ai ka shprehur shqetësimin se praktikat aktuale po e shkatërrojnë shtetin, duke thënë se nuk mund të lejojmë që një kryetar komune të zgjidhet në bazë të votave dhe të mos e ekzekutojë detyrën e tij.
Po ashtu, ai ka shprehur keqardhjen e tij për mënyrën se si ambasadori Hovenier ka dhënë këtë deklaratë, duke theksuar se nuk ka mundësi që kryetari i ndonjë komune në Kosovë të jetë teknik – ai ose është, ose nuk është.
“Funksioni kushtetues i kryetarit është që t’i bëjë të gjitha punët, në atë ditë që e jep betimin, në atë moment e merr rolin, edhe i ka të gjitha funksionet që i ka. Ne me këto lojëra që po ndodhin jemi duke e shkatërruar shtetin. Nuk mund të themi që kanë dalë nga zgjedhja vetëm 3 për qind, bëhu ti kryetar, por mos e ekzekuto detyrën. Këto nuk funksionojnë, mua më vjen keq se në çfarë mënyrë ka ardhur kjo deklaratë nga ana e ambasadorit. Nuk ka mundësi që kryetari i ndonjë komune në Kosovë të jetë teknik, ose është, ose nuk është”, ka deklaruar Gashi.
Ndër të tjera, ai ka thënë se ambasadori Hovenier me deklaratën që ka bërë, ua ka marrë detyrën kryetarëve të sapozgjedhur në veri të Kosovës.















