Analisti politik Dardan Gashi ka deklaruar se insistimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për të marrë postin e presidentit do ta komplikonte më tej situatën politike në vend.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Gashi ka thënë se çështja e presidentit ka qenë një nga arsyet kryesore që Kosova ka shkuar në zgjedhje, ndërsa ka vlerësuar se LDK-ja mund të jetë ajo që do të duhet të bëjë një lëshim.
“Nëse LDK-ja insiston në marrjen e presidentit, e komplikon shumë situatën, sepse për këtë arsye kemi shkuar në zgjedhje. Kurti nuk ka dashur ta ndajë këtë pushtet me askënd, as me LDK-në, as me PDK-në dhe as me askënd tjetër”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, nuk pret që lëshimi të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje, por nga LDK-ja.
“Besoj që LDK-ja mund të ketë lëshim dhe jo nga ana e Vetëvendosjes. As nuk po ia uroj dhe as nuk kam qejf, por në situatën ku është LDK-ja, është shumë problem të insistojë”, ka thënë Gashi.
Ai ka vlerësuar se këmbëngulja për postin e presidentit mund ta vështirësojë arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve.