Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnullah Gashi iu drejtua për herë të parë prokurorëve në mbledhjen e sotme, si udhëheqës i Prokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në fjalën e tij të parë nga Këshilli Prokurorial, Gashi dërgoi një mesazh të fortë për prokurorët.
“Sot nga këtu do t’i drejtohem secilit prokuror me një mesazh të qartë: si Kryeprokuror i Shtetit do të jem i përkushtuar për të mbështetur secilin nga ju që ushtroni detyrën me profesionalizëm, integritet, paanshmëri dhe guxim”, tha Gashi.
Kryeprokurori Gashi dërgoi edhe një paralajmërim për prokurorët.
“Nuk do të lejohet askush të keqpërdor autoritetin që i jep Ligji”, tha ai.
Sipas Gashit, qasja e tij si kryeprokuror do të mbështetet te puna, jo te deklaratat.
“Për aty që më njohin e dinë që qasja ime si prokuror dhe kryeprokuror ka qenë dhe mbetet e njëjtë: prokurori duhet të flasë vetëm përmes punës. Besueshmëria në profesionin tonë nuk ndërtohet me deklarata apo me retorikë, por me profesionalizëm, integritet dhe rezultate perfekte”, tha Gashi.
“Duhet të zhvillojmë hetime më profesionale, më efikase”, tha ai, ndërsa përmendi ndjekjen e rasteve të korrupsionit.
“Gjatë punës sonë do të zhvillojmë hetime më profesionale dhe më efikase në ndjekjen e korrupsionit, me theks të veçantë te korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar dhe çdo lloj kriminaliteti. Si Kryeprokuror i Shtetit, do të angazhohem maksimalisht që objektivat që i kam paraqitur t’i zbatoj në përputhje të plotë me Kushtetutën. Nga këtu dua t’i drejtohem secilit prokuror: Si Kryeprokuror i Shtetit, do të jem i përkushtuar për ta mbështetur secilin nga ju që ushtron detyrën me profesionalizëm, integritet dhe paanshmëri. Zyra ime do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim, me qëllim të tejkalimit të sfidave profesionale. Njëkohësisht, dua të theksoj se puna juaj duhet të mbështetet në aktet kushtetuese, në ligj dhe në provat e siguruara në mënyrë të ligjshme, sepse vetëm kështu i shërbejmë drejtësisë”, theksoi kryeprokurori i shtetit./EO