Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si antikushtetues Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Analisti politik, Dardan Gashi, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për këtë ligj, duke e cilësuar atë si një mjet për përndjekje dhe hakmarrje.

“Këta kanë dashur të bëjnë ligj për përndjekje, këta nuk duan të bëjnë shtet, duan të përndjekin njerëz e kanë për hakmarrje. Këta e gjejnë dikë edhe thonë hajde ja këqyrim pasurin këtij, ja bëjnë një shkresë aty që të vijë ai dhe ta vërtetoj si e ka bërë pasurinë, edhe ta bllokon deri ta vërtetosh”, ka deklaruar Gashi në Debat Plus.

Ai ka shtuar se veprimet e Qeverisë janë më shumë për të shkatërruar sesa për të ndërtuar shtet dhe se sipas tij, përkrahja e LDK-së për këtë ligj ishte shqetësuese.

“Çka është shqetësuese, është se partia institucionale e LDK-së po ashtu e ka votuar këtë ligj anti-kushtetues, edhe këtë e kanë bërë kjo struktura e re e LDK-së që duan me i pëlqy Kurtit”, ka theksuar Gashi.