Gashi: Rruga juridike është Apeli, ekipet mbrojtëse duhet të forcohen me avokatë vendorë

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të ndryshojë qasje në fazën e Apelit, sipas avokatit Tomë Gashi.

Ai kritikon mënyrën se si është zhvilluar mbrojtja gjatë procesit gjyqësor, duke thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk kanë dhënë dëshmi në seancat gjyqësore dhe se ekipet e tyre kanë bërë gabim që, sipas tij, i kanë këshilluar të mbrohen në heshtje.

Gashi kërkon që ekipet mbrojtëse të forcohen me avokatë vendorë, ndërsa si një nga çështjet kryesore për Apelin e sheh kundërshtimin e provave të ardhura nga Serbia.

Gashi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kompetencat e Gjykatës Speciale nuk mund të ndryshohen përmes ligjeve të tjera, ndërsa ka theksuar se fokusi duhet të jetë te procesi i ankimimit të aktgjykimit brenda institucioneve të Speciales.

“Para kësaj, faktikisht ne kemi parë që kërkesa në këtë propozim të PDK-së është që çështjet e caktuara ligjore që po gjykohen në Gjykatën Speciale të kthehen në territorin e Republikës së Kosovës, do të thotë të vazhdojnë gjykimet këtu. Kjo është e parealizueshme, sepse kompetenca e Gjykatës Speciale është krejtësisht tjetër, e paparaparë me ligje të tjera, dhe me asnjë ligj tjetër nuk mund të ndryshohet puna e Gjykatës Speciale, është e pamundur. Qëllimi që duhet arritur është që të bëjmë maksimalisht atë që është e mundshme, pra ta ndryshojmë aktgjykimin e 16 shattorit në instancën e Apelit, brenda vetë Gjykatës Speciale. Rrugë tjetër juridike nuk ka”, ka deklaruar Gashi.

Sipas tij, ekipet mbrojtëse duhet të forcohen me avokatë vendorë, pasi, siç ka thënë ai, ata kanë njohuri më të drejtpërdrejta për rrethanat në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës.

“Unë mendoj që duhet t’i forcojmë ekipet me avokatë vendorë, sepse avokatët vendorë e dinë më së miri situatën si ka qenë para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Ndërsa, lidhur me pretendimet ku thuhet se avokatët ndërkombëtarë e kanë kryer punën e tyre mirë, unë besoj që jo. Ata sigurisht janë avokatë me renome të mirë ndërkombëtare dhe ndoshta kanë pasur raste që i kanë fituar, mirëpo, në çështje të tilla për z. Thaçi dhe të tjerët, krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, puna e tyre nuk ka qenë edhe aq e mirë”, ka thënë ai.

Gashi ka kritikuar mënyrën e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se, sipas tij, ata nuk kanë dhënë deklarata mbrojtëse gjatë procesit gjyqësor dhe se kjo, në vlerësimin e tij, ka qenë një prej gabimeve të mbrojtjes.

“Një prej arsyeve, për shembull, është se unë nuk kam parë që u është dhënë e drejta që të gjithë të mbrohen. Duket se kanë qenë të sugjeruar që të mbrohen në heshtje, dhe unë nuk kam parë asnjë deklaratë të z. Hashim Thaçi, as të z. Jakup Krasniqi, as të z. Kadri Veseli dhe as të z. Rexhep Selimi, në kuptimin që t’i kundërshtojnë pretendimet e Prokurorisë Speciale, respektivisht të akuzës. Ata kanë pasur një deklaratë hyrëse kur nuk e kanë pranuar akuzën dhe fajin i cili padrejtësisht u është veshur me këtë aktakuzë, si dhe kanë pasur një deklaratë përmbyllëse në përfundim të gjykimit, i cili ka zgjatur rreth tri vite e gjysmë. Mirëpo, nuk kemi parë seanca në të cilat ata do t’u përgjigjeshin pretendimeve të Prokurorisë apo akuzës”, është shprehur Gashi.

Ai ka thënë se përgjegjësia për këtë qasje, sipas tij, nuk duhet t’u atribuohet vetë ish-krerëve të UÇK-së, por ekipeve të tyre mbrojtëse.

“Për këtë arsye them që ajo çfarë ne kemi parë është se ata nuk kanë dhënë deklarata mbrojtëse, dhe ky nuk është faji i tyre, por faji i avokatëve që i kanë sugjeruar thjesht të mbrohen në heshtje, për të mos dhënë dëshmi. Sipas bindjes sime, kjo është një prej gabimeve fatale, ekipet mbrojtëse të të gjithë udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që fatkeqësisht i kemi në Hagë, kanë qenë një teknikë të mbrojtjes jashtëzakonisht të gabuar”, ka deklaruar ai për Ekonomia Online.

Një tjetër çështje që Gashi e ka ngritur është përdorimi i provave të ardhura nga Serbia në proceset gjyqësore në Hagë. Ai ka thënë se mbrojtja është dashur të kundërshtojë më fuqishëm pranimin dhe përdorimin e këtyre provave.

“Pjesa tjetër pastaj është se si është e mundshme që avokatët kanë lejuar ata sigurisht nuk e kanë dashur, por prapëseprapë kanë lejuar të mos ketë kundërshtime të forta e të fuqishme që të mos mund të gjykohet asnjë ushtar i UÇK-së, e aq më pak prijësit e UÇK-së, me prova të cilat kanë ardhur prej Serbisë. Është diçka e tmerrshme, dhe besoj që askush nuk mund të presë një vendim të favorshëm apo një aktgjykim lirues në cilëndo instancë, nëse lejohet që provat e Serbisë të merren si prova kredibile nga një shtet armiqësor, i cili ka bërë luftë gjenocidiale në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Ai ka përmendur edhe zhvillimet historike që, sipas tij, kanë çuar në çlirimin e Kosovës, duke e lidhur këtë me mënyrën se si janë trajtuar provat nga Serbia në proceset e Gjykatës Speciale.

“Dihet që i gjithë populli i Kosovës ka dhënë kontributin e vet për çlirimin nga okupimi serb,  ka qenë fillimisht rezistenca paqësore në krye me presidentin historik Ibrahim Rugova, pastaj ka ardhur rezistenca e armatosur në krye me UÇK-në, e pastaj ka ardhur NATO që na ka ndihmuar dhe e ka bombarduar Serbinë për 78 ditë (dhe mirë e ka bërë). Ne i dimë të gjitha këto faza të cilat na kanë sjellë deri te çlirimi i plotë. Por, si është e mundur të lejohet me një gjykatë e cila është formuar nga Republika e Kosovës në liri (Gjykata Speciale është formuar në vitin 2015, pra 7 vite pas shpalljes së pavarësisë) dhe si është e mundur që në gjykatat tona të vijnë dokumentacione nga Serbia, pra nga pala ndërluftuese? Kjo është një çmenduri totale juridike dhe unë nuk e di se kush e mban fajin”, ka deklaruar ai.

Sipas Gashit, një pjesë e përgjegjësisë lidhet edhe me mënyrën se si është hartuar dhe votuar ligji për Gjykatën Speciale në vitin 2015.

“Për këtë çështje, faji fillestar është se ligji e ka lejuar. Ata nuk kanë thënë në ligjin për gjykatën speciale më 3 gusht të vitit 2015, deputetët tanë nuk kanë votuar që provat e Serbisë janë të lejuara, mirëpo kanë votuar që sipas atij ligji, Prokuroria Speciale apo Gjykata Speciale mund të marrë prova nga anëkënd botës, kudo që ata mendojnë se mund t’i gjejnë. Është dashur patjetër të bëhet një ndalesë, në mënyrë që të mos u mundësohet marrja e provave nga Serbia si palë ndërluftuese dhe armiqësore. Këtë nuk e kanë bërë, dhe kjo po na hakmerret”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se ligji është miratuar në kohën kur Kosova ishte shtet i pavarur, duke vënë në dukje se Gjykata Speciale nuk është krijuar gjatë administrimit të UNMIK-ut apo EULEX-it.

“Ne kemi qenë shtet i lirë. Kjo nuk ka ndodhur në kohën e UNMIK-ut apo të EULEX-it, por ka ndodhur në Kosovën e lirë, në Kosovën e pavarur, në Kosovën shtet në vitin 2015, ndërsa pavarësinë e kemi shpallur në 2008. Prapë po e përsëris, është çmenduri juridike se si kanë mundur 82 deputetë, që e kanë votuar ligjin për Gjykatën Speciale, të lejojnë që ushtarët dhe komandantët e UÇK-së ata të cilët me mish e me shpirt kanë luftuar kundër Serbisë të gjykohen me prova nga Serbia. Kjo është diçka që truri i një njeriu të shëndoshë psiqikisht dhe fizikisht nuk e lejon ta kuptojë se kjo gjykatë ka punuar drejt”, është shprehur ai.

Gashi ka thënë se përgjegjësia, duhet të kërkohet në disa nivele: te ligji i miratuar nga deputetët, te gjykata dhe te prokuroria, për mënyrën se si janë trajtuar dhe vlerësuar provat e ardhura nga Serbia.

“Faji është te deputetët tanë, pastaj te gjykata, e pastaj te prokuroria për mënyrën se si i kanë vlerësuar këto prova, a e kanë diskutuar kredibilitetin apo besueshmërinë e tyre? Po e them prapë: provat e Serbisë janë djallëzore, ato sjellin vetëm aktgjykime dënuese, por nuk sjellin drejtësi”, ka shtuar Gashi.

Gjykata Speciale i ka dënuar me 81 vjet burgim në total 4 ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë përgjegjës për krime që përfshijnë vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm gjatë luftës në Kosovë.

Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim. Ai u shpall fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Gjykata e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.

Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burgim. Trupi gjykues e shpalli atë fajtor për krime lufte, përfshirë trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme./EO

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika