Analisti politik Astrit Gashi ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë.
Në Debat Plus, Gashi ka thënë se, sipas tij, vendimi nuk e ka trajtuar tejkalimin e afateve kushtetuese në atë mënyrë që do të mund të ndikonte në legjitimitetin e Qeverisë.
Ai ka theksuar se Gjykata Kushtetuese, përmes vendimit të saj, “e ka kursyer Lëvizjen Vetëvendosje”, duke mos e shpallur konstituimin e Kuvendit jashtë afateve kushtetuese.
Gashi ka përmendur edhe përbërjen e trupit gjykues që ka shqyrtuar çështjen, duke pretenduar se tre gjyqtarë kanë luajtur një rol që, sipas tij, i ka shkuar për interes LVV-së.
“Vendimi është bo në atë formë që Vetëvendosja, pra Vetëvendosja përmes tre gjykatësve të vet, ka arritë që të garantojë që nuk… janë këta që ka pasë kjo zonja nga Mitrovica. Jo, zonja. Zonja Istrefi. Peci dhe një emër tjetër. Peci është i zgjedhur nga Vetëvendosja. Kjo treshja e gjykatësve, ku e ka lujt rolin që i ka vy Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo ka qenë që mos me u shpallë konstituimi i Kuvendit jashtë afateve kushtetuese, që do ta bënte qeverinë jo kushtetuese. Këtu e kanë kursy Lëvizjen Vetëvendosje”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se vendimi i ka dhënë më pas një afat të ri për zgjedhjen e Presidentit, duke iu referuar periudhës nga 6 gushti deri më 6 tetor.
