Një gjykatë në Rusi, më 1 prill, ia zgjati paraburgimin gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, deri më 5 qershor, raporton Shërbimi Tatar-Bashkir i Radios Evropa e Lirë.

Kurmasheva, 47 vjeç, u arrestua në Kazan tetorin e kaluar dhe u akuzua se nuk është regjistruar si agjente e huaj, sipas një ligji ndëshkues rus, që shënjestron gazetarët, aktivistët e shoqërisë civile dhe të tjerë.

Ajo, gjithashtu, akuzohet për përhapje të informacioneve të rreme për ushtrinë ruse dhe përballet me 10 vjet burgim, nëse shpallet fajtore.

Radio Evropa e Lirë dhe qeveria amerikane thonë se akuzat janë hakmarrje për punën e saj si gazetare e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Ajo kishte udhëtuar në Rusi, për të vizituar dhe për t’u kujdesur për nënën e saj të moshuar dhe, fillimisht, u ndalua teksa priste fluturimin e saj të kthimit më 2 qershor në aeroportin e Kazanit, ku iu konfiskuan pasaportat amerikane dhe ruse.

Shumë kritikë dhe grupe të të drejtave të njeriut thonë se, i ashtuquajturi ligj i agjentëve të huaj, përdoret nga Kremlini për të goditur çdo disident.

Moska, gjithashtu, është akuzuar për arrestimin e amerikanëve për t’i përdorur si pazare për t’i shkëmbyer me rusët e burgosur në Shtetet e Bashkuara.

Në shkurt, 23 vende e nominuan Kurmashevën për Çmimin Botëror të Lirisë së Shtypit të UNESCO/Guillermo Cano 2024.

Çmimi, i krijuar në vitin 1997, është një çmim vjetor, që nderon një person ose një grup njerëzish që japin një kontribut “të shquar” në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shtypit në të gjithë globin, pavarësisht nga “rreziku dhe persekutimi” me të cilin përballen./REL