Gazetarët pa Kufij: Kosova dhe Shqipëria në mesin e vendeve problematike

Organizata “Gazetarët Pa Kufij” shprehu shqetësim për gjendjen e lirisë së mediave, duke përmendur si arsye kryesore përkeqësimin e situatës: luftën e Rusisë në Ukrainë, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, si dhe kërcënimet nga përmbajtja e rreme dhe propaganda.

Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës “Gazetarët Pa Kufij” u publikua të mërkurën, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Ai arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe “e mirë” ose “mjaft e mirë” në 52 vende.

Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tri nga dhjetë vende.

Organizata “Gazetarët Pa Kufij” i radhiti Kosovën dhe Shqipërinë në mesin e vendeve problematike. Megjithatë, sipas indeksit që u publikua të mërkurën, të dyja vendet kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë, shkruan REL.

Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur radhitej në vendin e 61-të.

Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh, krahasuar me një vit më parë, kur radhitej e 103-a.

Serbia, ku sipas raportit mediat proqeveritare përhapin propagandë ruse, radhitet këtë vit në vendin e 91-të, duke pësuar rënien më të thellë – për 12 vende – në rajonin që përfshin Bashkimin Evropian dhe Ballkanin.

Maqedonia e Veriut e radhitur në vendin e 38-të dhe Mali i Zi në vendin e 39-të, janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë” ose të kënaqshme.

Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.

Bosnje dhe Hercegovina e radhitur në vendin 64, ka një rritje prej tri vendesh në krahasim me një vit më parë.

Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi, ndërsa tri vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të shtypit në botë janë në Azi: Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika