Gazetari që gjatë bombardimeve të NATO-s qëndroi në Beograd, jep detaje për librin e tij “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”

Gazetari Fahri Musliu ka promovuar librin “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” (janar-qershor 1999), gjatë javës së kaluar në Prizren. Në një intervistë për Portalin Dukagjini, ai ka rrëfyer më shumë rreth përmbajtjes së librit

Gazetari Fahri Musliu. Foto: AlJazeera Balkans

Gazetari Fahri Musliu ka promovuar librin “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” (janar-qershor 1999), gjatë javës së kaluar në Prizren.

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, Fahri Musliu ka dhënë më shumë detaje dhe informacione rreth këtij libri.

Musliu ka thënë se tematika e librit është e kohës së luftës, por jo nga fushëbeteja, por nga Beogradi. Në qytetin që ai e përshkruan si qytet ku regjimi i atëhershëm serb, në krye me Sllobodan Millosheviqin, ka projektuar luftën e përgjakshme, me shumë vrasje, masakra, varreza masive, dëbime e përdhunime.

Përjetimet e autorit në Beograd gjatë bombardimeve të NATO-s

Në librin “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” përfshihen përjetimet e autorit, i cili në Beograd mbeti gjatë gjithë kohës së fushatës ajrore të NATO-s, kurse familja e tij në Prizren.

Musliu tregon se ditarin kishte filluar ta mbante si pasojë e brengosjes, shqetësimeve dhe frikës për familjen e të afërmit, por edhe për njerëzit e tjerë që mbetën në Kosovë. Ai rrëfeu se në këtë ditar kishte përshkruar ditët sipas kujtesës së tij deri më datën 29, meqë sipas autorit, kanë qenë ditë dramatike për të, në hapësira të panjohura, të fillimit të një lufte që la gjurmë të thella në kujtesën e çdo njeriu.

Autori shton se gjatë shkrimit të këtij libri i është përmbajtur parimit dhe etikës profesionale se emocionet nuk guxojnë të të bartin. Prandaj, sipas tij, libri nuk e përmban notën letrare me fiksione, por e përshkruan realitetin ashtu siç ka qenë. Kjo ka ndodhur se ai nuk e kishte idenë se nga ky libër mund të dalë një libër i rëndësishëm dokumentar i një kohe dhe i ngjarjeve shumë dramatike për të gjithë në ato hapësira.

Ai shton tutje se kur i kishte shfletuar shënimet pas 7 vjetësh, i kishte rishkruar ato në kompjuter, duke i titulluar “Ditari i një shqiptari në Beograd” (janar-qershor 1999). Atë material ia kishte dërguar për ta lexuar mikut të tij shumëvjeçar, që atëherë ishte redaktor në gazetën “Zëri”, Zenun Çelajt.

Ai e kishte lexuar, e kishte redaktuar dhe e kishte njoftuar se e kishte përgatitur për botim si fejton në gazetë. Ky fejton ishte botuar për 23 ditë rresht. Pastaj kishte vendosur që këtij ditari t’i shtojë edhe raportet e tij për “Zërin e Amerikës” dhe të botojë libër, të cilin e shtypi Kompania “Dukagjini” në Pejë.

Libri “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd”

Zgjerimi i librit “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” 

Mes të tjerash, autori tregon se botimin e dytë të zgjeruar të këtij libri kishte vendosur ta shtypte kah fundi i vitit të kaluar, meqë atij i mungonin disa dokumente shumë të rëndësishme politike e diplomatike ndërkombëtare, të cilat ndikuan në fillimin e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër ish-Federatës Jugosllave.

“Ky botim ka tri pjesë: pjesa e parë, që e kam titulluar ‘Baticat dhe zbaticat e jetës’, është ditari të cilin e kam mbajtur që nga ditët e para të fillimit të luftës, ku e përshkruaj atmosferën në Beograd dhe përjetimet e mia si njëri nga shqiptarët e paktë (madje edhe gazetarë), që kishin mbetur në Beograd gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Malit të Zi dhe caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, deri në kthimin tim në Prizren më 24 qershor 1999 dhe takimin me familjen e të afërmit. Kësaj pjese ia kam shtuar kopjet e ditarit të mbajtur me dorë (jo të gjitha). Në pjesën e dytë i kam përmbledhur raportet ditore për ‘Zërin e Amerikës’, nga 9 janari deri më 23 mars të vitit 1999, kur në Serbi u fut censura ushtarake shkaku i shpalljes së gjendjes së luftës, ku pasqyrohet situata politike në Serbi dhe angazhimet e përpjekjet e faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë të SHBA-së, të BE-së, por edhe të Rusisë për zgjidhjen e problemit të Kosovës me mjete politike e diplomatike, të cilat nuk dhanë sukses”, ka shtuar tutje ai.

Ndërsa, në pjesën e tretë gjenden disa dokumente të rëndësishme politike e diplomatike ndërkombëtare, lidhur me çështjen e Kosovës, madje edhe disa plane të panjohura për opinionin shqiptar.

Musliu thekson tutje se kanë kaluar 24 vjet nga lufta dhe kanë ndodhur shumë ndryshime, disa nga këto dokumente edhe sot e kësaj dite janë në fuqi ose po përmenden. Midis tjerash, sipas autorit, këtu janë përmbledhur propozim-dokumenti i Grupit të Kontaktit për Kosovën gjatë vitit 1998, marrëveshja e Rambujesë, marrëveshja e Kumanovës dhe Rezoluta 1244.

Ai tregon se këto dokumente bashkë me raportet për “Zërin e Amerikës”, janë me rëndësi të veçantë faktografike e historike për kohën, dhe se mund të shërbejnë si material burimor për studiues të periudhës në fjalë, teksa shton se këtu gjenden edhe disa letra e reagime të OJQ-ve dhe të intelektualëve e ish-politikanëve të Serbisë, dërguar popullit shqiptar të Kosovës dhe ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

Leximi i këtij librit nxit lexuesit ta rikujtojnë atë periudhë 

Fahri Musliu ka potencuar se ky libër, si ditar i ngjarjeve të një kohe shumë dramatike, mund ta nxisë kureshtjen e lexuesve që pikërisht ta rikujtojnë atë kohë dhe ato ngjarje dramatike, të cilat i dhanë një kuptim tjetër jetës së secilit nga ne.

Ai ndau me ne se një koleg i tij, gazetar nga Tirana, i cili e kishte lexuar botimin e parë, i kishte shkruar një letër, të cilën e ka publikuar në kopertinën e librit, ku thotë se është gëzim që dikush shkruan për ngjarje aq tragjike nga një optikë aq personale.

“Më beso që e mbarova leximin për 3-4 orë me një shpejtësi dhe etje që rrallë e ndiej qysh prej shumë kohësh. Pjesën më të madhe të tij e kam lexuar me lot në sy, aq sa habita dhe njerëzit e shtëpisë. Edhe tani që shkruaj këtë letër për ty, në ora 1 pas mesnate, jam përsëri më lot, sepse më kujtohet ajo kohë, ngjarje nga ‘Ditari…’ dhe shokë të mi të dashur që kanë vuajtur mjaft në atë tollovi të pashembullt historike…Më pëlqeu sidomos për detajet e pakta, të kursyera desha me thanë dhe pa retorika politike, të cilat ia shtonin edhe më tepër dramacitetin ngjarjeve dhe emocioneve të leximit…”, kishte shkruar kolegu gazetar i autorit, Musliu.

“Kohë e frikës, e tmerrit, e solidaritetit”

Autori shpjegon se libri “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” i ka zbuluar shumë njerzillëk, e ka bërë që ta përqendrojë vëmendjen te lidhjet njerëzore që na rrethojnë.

“Për mua, si shqiptar dhe gazetar që mbeta në Beograd, ajo ishte: kohë e frikës, shqetësimeve, kërcënimeve, ankthit, lotëve, pagjumësisë, tmerrit, pritjeve, kohë e shoqërimit, miqësisë, përkujdesjes, solidaritetit, gëzimit, dashurisë, emocioneve, shpresës..! Të gjitha këto do t’i gjeni në ‘Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd’, por jo edhe urrejtjen. Sepse ajo midis nesh, thjesht, nuk ka ekzistuar! Prandaj, libri gjatë leximit edhe ngjall shumë emocione, sepse secili mund t’i përjetojë ato ngjarje dramatike dhe ta gjejë aty vetveten!”, shton mes të tjerash ai.

Autori shton se në promovimin e mbajtur këto ditë në Prizren, për librin janë dhënë vlerësime të larta nga folësit me përvojë të madhe, si gjuhëtarë, poetë, publicistë e ekspertë të gazetarisë.

“Sa i përket botimit të librit në serbisht në Beograd, i botuar në një tirazh prej 3000 kopjesh, ai bëri jehonë çfarë nuk e kam pritur, edhe për shkak të titullit, dhe pati ngjallur shumë emocione, sepse njerëzit u njoftuan për here të parë me ato ndodhi shumë tragjike që kanë ndodhur në Kosovë. Kurse, në promovimin, më 24 mars të vitit 2007 (në përvjetorin e nisjes së fushatës së bombardimeve), me një pjesëmarrje të madhe të njerëzve, libri u vlerësua shumë lart nga qarqet e njohura intelektuale të Beogradit, si një dokumentar me vlerë të veçantë”.

Ai është shprehur i lumtur që lexuesit shqiptar, por së shpejti edhe ata serb, po i ofron një libër dokumentar për një kohë dramatike, i cili, sipas tij, publikut serb mund t’i shërbejë edhe si katarzis.

Musliu rrëfen tutje se me mbajtjen e ditarit përpiqej ta përballojë më lehtë brengosjen, frikën, shqetësimin dhe ankthin për fatin e familjes, të farefisit, miqve, shokëve dhe për gjithë popullin e Kosovës, i cili përjetonte çastet më dramatike të jetës.

“Për veten time as që jam shqetësuar, edhe pse situata në Beograd ka qenë shumë e errët, veçmas për shumë njerëz që nuk pajtoheshin me politikën luftarake të regjimit, dhe të gjithë jetonin në frikë e ankth, edhe përkundër faktit që kam pasur ngacmime e kërcënime të ndryshme me anë të telefonatave, sidomos natën”, shprehet gazetari dhe autori i librit.

Madje, ai thotë se nuk e kishte menduar se ky “ditar i luftës”, një ditë do të bëhet libër, dhe atë në dy gjuhë.

“Po ta kisha nisur si libër nga fillimi, me siguri, ai do të ishte edhe më përmbajtësor, do të kishte një notë më dramatike, por edhe atë letrare, e cila pak a shumë i mungon”.

Ai përfundon duke theksuar se libri “Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” është për të kujtuar kohën dhe ngjarjet dramatike politike, diplomatike e luftarake, duke përfshirë këtu kërcënimet, dhunën, përndjekjet, dëbimet, përdhunimet, vrasjet, masakrat, varrezat masive, djegiet, shkatërrimet.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika