Gazetari serb Stefan Cvetkoviq, i njohur për raportimet dhe hetimet e tij lidhur me vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, ka vdekur sot (e diele) më 12 korrik në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku po trajtohej pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale për portalin Nova.rs përcjell Dukagjini.
Sipas autoriteteve, Cvetkoviq ishte duke vuajtur një dënim me burg dhe fillimisht ishte trajtuar në Spitalin Special të Burgut në Beograd, ndërsa më 24 qershor ishte transferuar në VMA.
“Personi i dënuar Stefan Cvetkoviq ndërroi jetë këtë mëngjes në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd. Të dhënat për trajtimin e tij dhe dokumentacioni mjekësor nuk mund të bëhen publike, pasi mbrohen nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ligjet që rregullojnë të drejtat e pacientëve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë.
Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se, në përputhje me procedurat ligjore, janë njoftuar policia, prokuroria dhe familja e të ndjerit.
Në një video të publikuar nga burgu, Cvetkoviq kishte deklaruar se po përballej me pengesa për realizimin e një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke akuzuar direkt presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe vëllain e tij, Andrej Vuçiq, për ndikim në moslejimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor.
Stefan Cvetkoviq ishte themelues dhe kryeredaktor i televizionit TNT dhe gazetës Belocrkvanske novosti.
Ai u bë i njohur në opinionin publik në vitin 2018, kur u raportua zhdukja e tij në Bela Crkva. Automjeti i tij ishte gjetur me dyert e hapura dhe dritat e ndezura, ndërsa ai u gjet pas një operacioni kërkimi që zgjati rreth 30 orë.
Në të kaluarën, ai ishte dënuar në shkallë të parë me mbi dy vjet burg pas padive të ngritura nga zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Vuçiqit. Më vonë, Gjykata e Lartë në Pançevë i shfuqizoi tre aktgjykimet dhe i ktheu çështjet në rigjykim, sipas raportimeve të mëhershme të CINS raporton Dukagjini.