Gazetarja Agnesa Hasanaj, në një lidhje direkte nga qendra e Pejës në edicionin special të RTV Dukagjinit, ka bërë të ditur se në Komunën e Pejës të drejtë vote kanë 115 mijë e 600 qytetarë.
“Kjo shifër është e shpërndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes dy gjinive”, ka thënë ajo.
Hasanaj ka shtuar se 7 mijë e 726 votues nga Komuna e Pejës janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës.
Sa i përket infrastrukturës zgjedhore, në Komunën e Pejës janë gjithsej 30 qendra votimi me 135 vendvotime, ndërsa është paraparë edhe një qendër për votim me kusht, e cila do të ketë dy vendvotime.
“I pari që do të vizitojë dhe hapë qendrat e votimit do të jetë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kreshnik Radoniqi”, ka deklaruar Hasanaj.