Hysen Gecaj, ish-ushtarak, ka folur në Five në RTV Dukagjini, ku ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe, gjatë historisë, ka luajtur një rol negativ në aspektin e sigurisë në të gjithë rajonin.
Ai tha se ndikimi i saj ishte i pranishëm që nga Lufta e Dytë Botërore, por edhe gjatë luftërave të fundit në Ballkan.

“Vetë Kisha Serbe ishte ajo, përmes personelit të saj, që bekonte luftëtarët serbë në luftërat kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve.”

“Pra, është një vazhdimësi e asaj që serbët janë mësuar ta kenë gjithmonë prezente në mesin e grupeve të tyre të armatosura, të cilat, pa një bekim paraprak të Kishës, nuk niseshin për në fushëbetejë. Sigurisht që ky bekim, në njëfarë mënyre, ishte bekim i krimit që po ndodhte në Ballkan, në mesin e popujve që dikur jetonin bashkë, e që më pas po luftonin kundër njëri-tjetrit, për shkak të përkatësive të ndryshme etnike e fetare”, ka thënë ai.

Gecaj tutje ka deklaruar se Kisha Ortodokse Serbe nuk i kishte bekuar këto luftëra vetëm në kuptimin fetar, por gjithashtu kishte shprehur qëndrime kundërshtuese ndaj kombeve të tjera që nuk janë të afërta me serbët. Sipas tij, ajo e ka përdorur mekanizmin e ndjenjave fetare për të nxitur luftëtarët, respektivisht kriminelët serbë, që të marrin pjesë në luftëra okupuese në ish-Jugosllavi.

Ai ka shtuar se kjo mendësi është ende prezente edhe në ditët e sotme.

“Është e qartë se mendësia nuk ka ndryshuar asnjëherë gjatë historisë, dhe nuk ka marrë asnjëherë një kahje tjetër, përveç asaj që e përmendëm më lart”, ka theksuar ai.

“Kisha Ortodokse Serbe, me praninë e saj në territoret e Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, por edhe Maqedonisë, përbën një lloj ‘dore të zgjatur’ të spiunazhit të butë — nëse mund të shprehem kështu — ndryshe nga spiunazhi klasik. Ajo e përdor klerin ortodoks për nevojat e saj, qoftë për destabilizimin e rajonit apo për shkëmbimin e informacioneve të mbledhura në mënyrë operative, për të cilat manastiret kanë qenë gjithmonë të gatshme të shërbejnë”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se gjatë luftës në Kosovë, Manastiri i Deviqit në fshatin Llaushë të Skenderajt ishte nën kontrollin e UÇK-së por se në asnjë në asnëj rast nuk ka të evidentuar që pjesëtarët e UÇK-së kanë hy aty dhe kanë kërcënua personelin e manastirit.

“Përkundrazi, në disa raste me ardhjen e grupeve të ndryshme të gazetarëve të huaj në një rast ka qenë edhe një gazetar serb i Beogradit të cilit ia kemi mundësuar shkuarjen në manastir për të pa vet me sytë e tij që popullata shqiptare dhe UÇK-ja nuk prekin këto institucione. Ai pasi që është kthyer në Beograd ka bërë një shkrim lidhur me këtë por që ma vonë ka vuajtur edhe pasoja për shkak të këtij shkrimi”, ka thënë Gecaj.