Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka përcjell nga afër vazhdimin e gërmimeve në Kalludër të Zubin Potokut.
Isufaj nga atje bëri të ditur se gërmimet do të zgjasin dhe se procesi i identifikimit të mbetjeve mortore do të marrë kohë, por u zotua se i gjithë procesi do të zbatohet me procedura profesionale e të pavarura.
Mes tjerash, Isufaj apeloi që të mos ketë shumë deklarime në publik rreth këtij rasti pasi tha se është shumë herët dhe deklarimet mund ta dëmtojnë procesin e hetimit.
“Ky proces mund të zgjasë nuk mund të themi se kur përfundojnë, ajo që ka shumë rëndësi është se identifikimi merr kohë dhe kërkon standard për të marrë dhe për të identifiku pastaj përmes ADN-së secilin trup. Mirëpo, këto mbetje nuk është se mund të tërhiqen aq lehtë sepse duhet që paraprakisht të konstrukturohet trupi i njeriut e pastaj të dërgohen në Mjekësinë Ligjore e pastaj të vazhdohet me procedura tjera. Atë që mund të them sot është se Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale të paanshme e të pavarura me qëllim edhe të respektit ndaj viktimave por edhe ndaj familjarëve të tyre, po ashtu kisha kërku që të mos ketë shumë deklarime për rastin pasi është shumë herët dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit”, u shpreh Isufaj.