Gërvalla: Arkitektura e Evropës po rikonfigurohet – duhet të ndalet politika ledhatuese ndaj Serbisë
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë me rastin e 80-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore. Nga Varshava e Polonisë, ku mori pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate […]
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë me rastin e 80-vjetorit të Luftës së Dytë Botërore.
Nga Varshava e Polonisë, ku mori pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve kandidate dhe atyre me status kandidat potencial, Gërvalla tha se kjo vizitë është një mesazh i qartë për Perëndimin që të ndalë politikat toleruese ndaj Beogradit.
“Për mua është hap shumë normal, hapi i ardhshëm që Vuçiqi ia tregon gjithkujt se ku ai beson që Serbia përket dhe me të vërtetë shpresoj që kjo do të bëjë që partnerët, aleatët të marrin mesazh të qartë dhe të ndalin politikën ledhatuese që ka dështuar në Rusi me Putinin dhe do të dështojë me Serbinë po ashtu.
Por, pyetja është se çka do të jetë çmimi që rajoni do të paguajë nëse Evropa, BE-ja dhe partnerët tanë perëndimorë vazhdojnë politikën ledhatuese për Serbinë shumë hegjemoniste që është kërcënim për të gjithë fqinjët tanë në rajon?”, ka thënë Gërvalla.
Krahas kësaj, Gërvalla tha se prania e saj në këtë forum, i mbajtur me ftesë të Presidencës Polake të Këshillit të BE-së dhe në praninë e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Kaja Kallas, erdhi në një moment kyç për të ardhmen e kontinentit evropian.
“Ky forum zhvillohet në një moment kyç për të ardhmen e kontinentit tonë. Zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk është më një projekt abstrakt politik, por një domosdoshmëri strategjike, një përgjigje konkrete ndaj realiteteve të reja gjeopolitike dhe sfidave që rrezikojnë themelet e paqes dhe sigurisë evropiane. Në këtë kontekst të ri, ku arkitektura e Evropës po rikonfigurohet përballë kërcënimeve dhe sfidave të shumanshme, takimi në Varshavë përfaqëson një mundësi për të marrë vendime të guximshme dhe për të artikuluar një vizion të qartë për një Evropë më të bashkuar, më të sigurt dhe thellësisht demokratike”, ka thënë Gërvalla.
Sipas Gërvallës, Kosova, si demokracia më e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe vendi më pro-evropian, ka marrë pjesë në këtë tryezë me qëndrime të qarta dhe me bindjen se zëri i saj është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e rajonit.
“Kosova, si demokracia më e qëndrueshme dhe vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor, mori pjesë në këtë tryezë me qëndrime të qarta dhe me bindjen se zëri ynë është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e rajonit. Si një shtet që ka ndërtuar institucione funksionale, ka forcuar sundimin e ligjit dhe ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj reformave dhe vlerave evropiane, Republika e Kosovës sjell përvojën e një vendi që nuk kërkon vetëm integrim, por kontribuon me përgjegjësi ndaj projektit të përbashkët evropian.
Në Varshavë, riafirmojmë se Republika e Kosovës është dhe mbetet një aleate dhe partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, një faktor stabiliteti, sigurie dhe progresi demokratik, në rajon dhe në gjithë kontinentin”, ka shtuar Gërvalla.















