Gërvalla dhe Kusari-Lila takojnë grupin parlamentar të miqësisë Kanada-Kosovë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, kanë zhvilluar një takim me kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë, Anita Vandenbeld dhe anëtarët e këtij grupi, deputetët, Robert Oliphant, Yvan Baker, Kyle Seeback, Francesco Sorbara, Sébastien Lemire dhe senatorin Victor Oh. Siç thuhet në […]
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, kanë zhvilluar një takim me kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Kosovë, Anita Vandenbeld dhe anëtarët e këtij grupi, deputetët, Robert Oliphant, Yvan Baker, Kyle Seeback, Francesco Sorbara, Sébastien Lemire dhe senatorin Victor Oh.
Siç thuhet në njoftimin e MPJD-së, bashkëpunimi dypalësh, mbështetja e Kanadasë në forumet shumëpalëshe dhe anëtarësimet në organizata ndërkombëtare si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të reja, ishin temat kryesore të takimit.
Po ashtu, gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla dhe deputetja Kusari-Lila, pasi i falënderuan secilin prej tyre për mbështetjen e madhe ndaj Kosovës, promovimin e miqësisë mes dy shteteve tona dhe angazhimin e tyre në kuadër të Grupit Parlamentar të Miqësisë, i njoftoi ata rreth proceseve politike në Kosovë, progresin e arritur në shumë fusha, sigurinë në rajon, sulmet e Serbisë dhe proceset integruese nëpër të cilat po kalon vendi.
Në njoftimin e MPJD-së, thuhet se deputetët kanadezë shprehën interesimin e tyre rreth situatës politike në Kosovë, potencialin për zhvillim ekonomik dhe shprehën vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të jetësuar projekte të përbashkëta në ekonomi por edhe duke ndihmuar Kosovën në proceset integruese dhe nismat globale.
Në fund të takimit, “të dy delegacionet koordinuan hapat për veprimet dhe projektet e përbashkëta në kuadër të fuqizimit të miqësisë, bashkë edhe me mërgatën si urë lidhëse e fuqishme mes dy shteteve”.















