Gërvalla: Është koha të hiqet dorë nga mentaliteti bllokues

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtëisë, Donika Gërvalla, tha se Vetëvendosje do të angazhohet për bisedime me partitë opozitare për çështjen e zgjedhjes së presidentit pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, ndërsa ka bërë thirrje për heqjen dorë nga, siç e cilëson, “mentaliteti bllokues”.

Gërvalla, tha se zgjedhjet e fundit kanë qenë të panevojshme dhe se tani është koha për diskutime serioze për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

“Edhe të kaluarën jemi përpjekur edhe me LDK-në dhe me të tjerët ta zgjidhim çështjen e presidentit. Kemi pasur zgjedhje tërësisht të panevojshme, për të cilat u dit që në fillim se nuk kanë për të sjellë ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e kuvendit të ardhshëm. Për besë, është koha që me u ul e me diskutu seriozisht dhe me hequr dorë nga mentaliteti bllokues. Qytetari e ka thënë fjalën e vet, për herë të tretë e ka thënë fjalën e vet qartë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve po shihet. Po presim rezultatet zyrtare, po presim certifikimin e tyre dhe po dua të besoj që ishte hera e fundit që shkojmë në zgjedhje të panevojshme dhe, në fakt, edhe jo racionale dhe jo të kuptueshme për qytetarët”, tha ajo.

Ajo shtoi se hapat e ardhshëm do të diskutohen fillimisht brenda koalicionit, e më pas edhe me partitë opozitare.

“Se cilët do të jenë hapat që do të ndjekim, atë do të ulemi së pari brenda koalicionit dhe do t’i diskutojmë, e pastaj do të ulemi të diskutojmë edhe me partitë opozitare. Do të jemi përsëri të përkushtuar dhe të angazhuar që të gjejmë mënyra për t’i qartësuar. Zgjidhja apo jo, njeriu kur hyn në negociata hyn me vullnetin për të gjetur zgjidhje, të cilën unë nuk mund ta paragjykoj sot, sepse në bazë të deklarimeve në media po duket sikur po. Të ngjashme i kemi pasur, faktikisht, edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit. Fatkeqësisht, ne jemi të interesuar të diskutojmë me partnerët tanë potencialë pa diskutuar paraprakisht me mediat. Rendi e kërkon që me diskutu me njerëzit direkt, në vend që me ju dërgu mesazhe përmes mediave, dhe ne këtë rend do ta respektojmë dhe me seriozitet maksimal do të angazhohemi”, tha ajo.

Gërvalla vlerësoi se opozita nuk duhet të vendosë kushte para nisjes së negociatave.

“Shikoni, opozita do të bënte mirë të mos vendoste kushte, sepse vendosja e kushteve, kushtëzimet, janë parakusht shumë i keq për fillim negociatash. Unë mendoj që qytetari i Republikës së Kosovës është ai që vendos, nuk jam as unë, as opozita dhe askush tjetër. Qytetari e ka thënë fjalën e vet dhe do të duhej, si politikanë të përgjegjshëm të vendit tonë, të ulemi dhe të diskutojmë se cilat janë rrugët më të mira. Përsëri, pasi të kemi diskutuar, natyrisht që do ta informojmë edhe publikun, por hapat e parë bëhen në fillim dhe hapat informues bëhen më tej. Faleminderit shumë”, tha ajo.

Duke folur për çështjet energjetike dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, Gërvalla tha se Qeveria është duke diskutuar për tema të ndryshme të sigurisë, përfshirë edhe çështjen e gazit amerikan.

“Shikoni, ne kemi diskutime jo vetëm rreth gazit, por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne kemi treguar gjatë pesë viteve të fundit që me shumë përgjegjësi dhe me shumë seriozitet jo vetëm që diskutojmë, por edhe marrim vendime bazuar në interesin e Republikës së Kosovës”, tha ajo./EO

Të fundit nga rubrika