Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se votimi pro Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë, është rezultat jo vetëm i punës së palodhur të institucioneve të Republikës sonë por dhe i mbështetjes së miqve të shumtë të Kosovës.

“Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Ky është me pak fjalë rezultati i votimit që u mbajt sot në Paris, në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ku para pak minutash u miratua me shumicë mbresëlënëse votash opinioni, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Të gjitha propozimet e sotme për vendosjen e parakushteve të ndryshme janë refuzuar”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

Siç ka thënë ajo, raporti i aprovuar sot rekomandon që Kosova, bazuar në nenin 4 të Statutit të Këshillit të Evropës të ftohet si shtet (state), e jo si vend (country).

Tani sipas saj, është e hapur rruga për votimin në Asamblenë Parlamentare , i cili mbahet në mesin e muajit prill.

“Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës! Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar mes tjerash në Facebook ministrja Gërvalla.