Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom.

Gërvalla ka thënë se me kryediplomatin suedez ka zhvilluar një bisedë të gjatë.

“Është shumë e rëndësishme që Billstrom është këtu pasi që është votuar për liberalizimin e vizave. Ai është si përfaqësues i presidencës suedeze. Duhet ta falënderoj edhe presidencën çeke e cila e ka shtyrë përpara procesin e liberalizimit”, ka deklaruar Gërvalla.

“Ne biseduam për Këshillin e Evropës. Janë kryer disa procedura. Dhe kërkesa jonë është  që të kalojnë sa më shpejt këto procedura. Ne jemi optimistë për anëtarësimin e Kosovës. Kërkojmë anëtarësim meritor”, ka shtuar ajo.

“Po ashtu, folëm për procesin e anëtarësimit të Kosovës ne BE. Kemi bërë hapin e parë andaj e falënderoj presidencën suedeze për hapin që e ka marrë”, ka thënë Gërvalla.

Më tutje, kryediplomatja kosovare ka folur edhe për shtetasit kosovarë të cilët jetojnë dhe veprojnë në shtetin e Suedisë, duke thënë se “mërgata jonë në Suedi është shtylla jonë kryesore dhe në çdo hap të rëndësishëm për Kosovën, aty ka qenë Suedia”.