Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është pyetur për kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e saj, si dhe akuzat se ajo është bashkëpunëtore e Gjykatës Speciale.
Në konferencë për media, Gërvalla i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se nuk ka pasur asnjë lidhje apo bashkëpunim me UNMIK-un, EULEX-in apo Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Deklaratat që më lidhin mua në çfarëdo lloj forme me bashkëpunimin tashmë janë bërë bozë, sepse i kam shpjeguar disa herë. Nuk ka asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale. Nuk ka asnjë pikë takim timin, as direkt dhe as indirekt”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se pret që së shpejti të bëhen publike fakte që, sipas saj, do t’i rrëzojnë këto pretendime.
“Mirëpo edhe pak durim duhet të kemi, sepse aktgjykimi do të vijë shpejt dhe do ta shohim shumë shpejt”, u shpreh ajo.
Duke folur për veprimet e Qeverisë pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, Gërvalla tha se ajo dhe ekipi i saj janë angazhuar që nga dita e parë për përgatitjen e hapave të mëtejshëm.
“Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë, bashkë me ekipin tim, që ditën e parë jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, tha ajo.
Sipas Gërvallës, institucionet duhet të veprojnë me profesionalizëm dhe kujdes, duke u përgatitur për procesin e ardhshëm gjyqësor.
“Si betejë ligjore, ne duhet të jemi profesionist, të mençur, me kokën e ftohtë, pa shumë bërtima. Duhet të përgatitemi për instancën e ardhshme”, tha ministrja.
Ajo shtoi se Qeveria mund të bëjë më shumë, por se aktualisht janë duke u analizuar të gjitha rrethanat për të përcaktuar hapat që duhet të ndërmerren.
“Unë jam e bindur që mund të bëjë më shumë, mirëpo jemi duke i shikuar dhe analizuar të gjitha rrethanat, me qëllim që secili, në pozicionin e tij dhe në përgjegjësinë e tij, ta kryejë punën e tij me ndershmëri dhe ashtu si duhet”, deklaroi Gërvalla.
Sa i përket kërkesave për dorëheqjen e saj, ministrja tha se ato janë pjesë e të drejtës së qytetarëve për të shprehur mendimin e tyre.
“Është e drejtë e secilit qytetar të Republikës së Kosovës të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër. Në fund të fundit, jetojmë në një shtet demokratik, ku është e drejtë e secilit të shprehë mendimin e tij”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se nuk do t’i komentojë kërkesat për dorëheqje, duke theksuar se përgjegjësia e saj është që në institucionin që drejton të kryhen punët në mënyrën e duhur.