Ministrja e Punëve të Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kritikuar UNMIK-un gjatë fjalimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke e akuzuar për shtrembërimin e fakteve dhe humbjen e kredibilitetit si mision i OKB-së.

Gërvalla e akuzoi UNMIK-un për përhapjen e propagandës serbe, duke shtrembëruar zhvillimet reale në Kosovë, përfshirë luftën e Kosovës kundër krimit të organizuar dhe strukturave ilegale.

“Raporti i UNMIK-ut i bën jehonë propagandës serbe dhe i portretizon këto informata duke keqorientuar qëllimin dhe orientimin për paqe. Një keqinterpretim tjetër është vrojtimi i UNMIK-ut për gjykimet në mungesë, sidomos për të dyshuarit për krime lufte. Këto s’janë çështje e zgjedhjes por është domosdoshmëri sepse Serbia vazhdimisht i mbron këta të dyshuar. Gjykata në Bruksel, jo në Kosovë, i dënoi tre individë nga konspiracioni dhe ekzekutimi i atentatit të gazetarëve shqiptarë në Belgjikë, por Serbia vazhdon të kundërshtojë ekstradimin e tyre”, ka thënë ajo.

Gërvalla e cilësoi Serbinë si një mbështetëse të grupeve paramilitare, duke përmendur sulmin e 24 shtatorit 2023, që i mori jetën një polici të Kosovës, dhe kërkoi dorëzimin e Milan Radoiçiqit, i cili ka lidhje të ngushta me autoritetet serbe.

“Kosova sot është demokraci e gjallë, e re, reziliente, me orientim drejt rrugëtimit euroatlantik. Por Serbia nuk është se ka ndërruar shumë, ajo vazhdon të përpiqet të destabilizojë demokracinë tonë. E përtej kësaj e bën këtë jo veç përmes retorikës, por me veprime konkrete e të dhunshme që rrezikojnë paqen rajonale…

Milan Radojçiq njihet publikisht për lidhjet e tij me elitën politike të Serbisë, duke përfshirë edhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Duric që është këtu dhe presidentin Vuçiq. Ka fotografi publike të zotit Gjuriq ulur në kafieteri në Beograd me Radojçiqin, që e dëshmojnë këtë lloj lidhje. Ky ka qenë akt i hapur agresioni kundër një shteti fqinj, kryer nga një grup me trajnim ushtarak, pajisje logjistike, të gjitha këto të siguruara nga Serbia”, ka thënë Gërvalla.

“Dua t’i jap jehonë fjalëve të shprehura në Këshillin e Evropës gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës. Dora Bakoyannis, raportuese për anëtarësimin e Kosovës kishte deklaruar: ‘Kosova është demokraci funksionale, që respekton të drejtat e njeriut e të komuniteteve’. Më shumë se 82% të anëtarëve në Komitetin PACE kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës, dhe po jemi vend demokratik dhe jemi krenar për këtë”, ka thënë Gërvalla.

Nga ana tjetër, shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka kërkuar që qeveria e re e Kosovës të përmbushë angazhimet e saj dhe të bëjë hapa konkret për mirëqenien e popullit të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut me BE-në.

Në ndërkohë, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka kritikuar procesin e zgjedhjeve në Kosovë, duke kërkuar “energji të reja” në dialogun Kosovë-Serbi.