Gërvalla për targat: Pa pasur në tryezë dialogun, vështirë të zgjidhen çështjet e tjera

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka theksuar “brengën” e shtetit të Kosovës lidhur me iniciativat e ndryshme që sipas saj hapin rrugën e influencës ruse në regjion

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla





Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në fjalën e saj në Samitin rajonal të Ballkanit për sigurinë, ekonominë dhe paqen, ka thënë se qasja në Bashkimin Evropian do të mbetet si sfidë kryesore.

Siç potencoi Gërvalla, është vështirë të flitet për Evropën, paqen e stabilitetin e pa i përmendur dy sfidat kryesore të cilat duhet menaxhuar.

Një nga to është çështja e zbatimit të marrëveshjes për targat me Serbinë.

“E para është çështja e zbatimit të ligjit që më 31 tetor është shumë me rëndësi në Kosovë, por shihet nga Rusia dhe Serbia si mundësi për të përforcuar rrezikun në Kosovë dhe në vende të tjera dhe problemi tjetër është strukturor, rreziku afatgjatë për paqen në vendin tonë dhe jo vetëm”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se nëse nuk zgjidhen problemet parimore bazike, atëherë do të “humbësh kohën me çështje të vogla që nuk e sjellin procesin e normalizimit me fqinjët”.

Dialogu me Serbinë ka të bëjë me normalizimin që duhet të sjellë edhe njohjen reciproke dhe marrëveshja përfundimtare duhet të jetë kjo, ka thënë Gërvalla.

“Çka do të thotë marrëveshja përfundimtare? Kur flasim për këtë marrëveshje ne e krijojmë përshtypjen që gjërat në fund duhet të ndodhin në një të ardhme. Jam e bindur se pa pasur në tryezën e dialogut aktualisht pyetjen e njohjes reciproke dhe të përballemi me këtë pyetje në vend se të përballemi me çështje të tjera teknike të parëndësishme, do të jetë çdo ditë e më vështirë që të gjejmë zgjidhje me fqinjin tonë, sepse lufta në Ukrainë në regjion ka ndryshuar çdo gjë”.

“Influenca ruse dhe përshtypja e tyre është aq e fuqishme, për shkak se Serbia sillet si diçka e thjeshtë në këtë politikë, edhe pse ka nënshkruar në SHBA marrëveshjen për politikat e tyre të jashtme me Rusinë. Prandaj, Evropa Perëndimore e kupton se cila është politika e jashtme ruse, normal është lufta me fqinjët, dhe kjo politikë është agresive që të mundohet të gjejë arsye, pretekst për të sulmuar fqinjët e tyre”, ka thënë ajo.

Ajo ka theksuar “brengën” e shtetit të Kosovës lidhur me iniciativat e ndryshme që sipas saj hapin rrugën e influencës në regjion.

“Kemi një brengë në muajt e fundit dhe këto janë iniciativat që po dalin në pah dhe që na tregojnë neve se Bashkësia Evropiane nuk është serioze në përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm që do të përforcohet influenca, por aleancat alternative do të dalin në pah që nuk janë të mira vetëm për regjionin tonë por janë vërtetë një rrezik i madh për Evropën”, ka thënë Gërvalla.

“Nëse mund të përmend një nga to, do ta përzgjedhja iniciativën e Ballkanit të Hapur që do të hapë dyert për shumë influenca të ndryshme kineze, ruse në tregjet evropiane”, shtoi ministrja.

Po ashtu, Gërvalla ka potencuar se integrimi i Kosovës në BE dhe NATO është i domosdoshëm, ngase integrimi euroatlantik sipas saj është ajo që garanton stabilitetin dhe paqen afatgjate.

“Integrimi euroatlantik është pjesa që garanton stabilitetin dhe paqen afatgjate në regjionin tonë”.





 

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika