Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka shprehur optimizëm se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të rritet presioni ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku për të ndryshuar qëndrimin e tij ndaj VV-së dhe për të pranuar ftesat për bashkëpunim politik.

Deklarata e saj vjen pas dështimit të 13-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ajo theksoi se është e pakuptimtë që bllokada të vazhdojë dhe kërkoi që Kuvendi të konstituohet sa më parë.

Gërvalla e cilësoi të papranueshëm çdo tentim për vonim të mëtejmë të këtij procesi, duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër përveç ecjes përpara me formimin e institucioneve. Në reagimin e saj, Gërvalla kritikoi edhe idenë e LDK-së për një qeveri tranzicionale, duke e quajtur një kthim pas në kohë.

“Bëmë edhe një tentativë për të zhbllokuar procesin sepse tashmë është i pakuptueshëm, por edhe për të gjithë qytetarët shihet se procesi duhet të ec përpara. Mundësitë janë për ta zhbllokuar që sot, madje u shfrytëzua foltorja e Kuvendit për të dhënë deklarata që situata do të mbetet e bllokuar. Jemi përpjekur të përçojmë sinjale që jemi të interesuar për konstituimin e Kuvendit. Dihet qartë kush i bën propozimet dhe si shkon procesi. Ka ardhur një propozim absurd nga LDK-ja, që ta kujton vitin 1999 ku duhej të bëheshin zgjidhje tranzitore”, ka thënë Gërvalla.