Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është pritur në takim të mërkurën nga ministri për Evropë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Siç ka njoftuar MPJD-ja, përgjatë takimit ministrja Gërvallla e ka informuar në detaje kryediplomatin austriak rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, si sulmi në Banjskë, sulmi ndaj KFOR-it dhe veprimeve të tjera që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Mes të tjerash, në takim ata kanë diskutuar rreth thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe mbështetjes së Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Tutje, ministrja Gërvalla e ka njoftuar homologun austriak rreth proceseve të brendshme politike në vend.

“Ka prezantuar progresin e arritur në demokratizim, sundim të ligjit, rritje ekonomike, respektim të të drejtave të njeriut, liri të mediave dhe infrastrukturë moderne për investime ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Ministrja Gërvalla dhe ministri Schallenberg gjithashtu biseduan edhe për integrimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ndërkohë që ministrja Gërvalla e falënderoi atë për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.