Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar të mërkurën se reduktimi i Policisë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës dhe zonat rreth tyre, në përputhje me dakordimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nuk është tërheqje e kryeministrit Albin Kurti.

Ajo ka theksuar se prania e Policisë nuk është qëllim në vetvete, por është domosdoshmëri në situata të veçanta.

Gërvalla ka potencuar se marrëveshja synon largimin e 25 për qind të forcës policore, jo vetëm nga veriu, por edhe nga ndërtesat komunale dhe zonat rreth tyre, nëse policia nuk nevojitet atje.

Ajo ka shtuar se ky vendim nuk duhet të konsiderohet si tërheqje e kryeministrit Kurti, por si një qasje e matur dhe e mençur në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët.

Gërvalla gjithashtu vuri në dukje se disa kërkesa për tërheqje të menjëhershme të zyrtarëve të Serbisë ishin të tepruara në situata të dhunshme, ndërsa negociatat janë vazhduar me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme.

“Marrëveshja është që menjëherë të largohet 25 për qind e policisë jo nga veriu, por ndërtesat dhe zonat rreth tyre. Nuk ka nevojë për polici nëse nuk nevojitet. Nuk është tërheqje e Kurtit, por maturi dhe mençuri në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët. Kërkesat kanë qenë të tepruara dhe s’e kemi ndjerë veten komodë. P.sh, largimi në atë kohë i policëve kur aty ka pasur dhunë masive nuk ishte gjëja e duhur. Ka pasur shumë më tepër kërkesa ditën e parë, si tërheqja e menjëhershme e kryetarit të Leposaviçit”, ka deklaruar Gërvalla për EN Albania.

“BE ‘tigër prej letre’ pa SHBA-të”- Gërvalla shpjegon deklaratën e saj

Ministrja Gërvalla iu rikthye dhe një herë deklaratës së saj, se BE-ja pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në aspektin e sigurisë, është një “tigër prej letre”.

Ajo ka thënë se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ishte përpjekur ta tjetërsonte deklaratën e saj.

Ajo kishte theksuar se BE-ja, pa praninë e NATO-s dhe SHBA-ve, është një “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë, duke reflektuar realitetin aktual.

Sipas saj, se Lajçak kishte përpjekur ta interpretonte deklaratën si një kritikë ndaj BE-së në përgjithësi, gjë që siç tha ajo, “nuk ishte ky qëllimi”.

Ajo ka thënë se kishte trajtuar vetëm një aspekt shumë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe se në këto kohë të trazuara, rajoni duhet të dijë se sa mbështetje mund të gjejë te BE-ja në aspektin e sigurisë.