Ministria Punëve të Jashtme ka njoftuar se janë liruar nga detyra e tyre, 11 zyrtarë të kësaj ministrie.
Në arsyetimin e MPJD-së thuhet se të njëmbëdhjetë personat e shkarkuar, janë pranuar në punë pa i respektuar procedurat e rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.
Sipas MPJD-së, emërimi i tyre kishte ndodhur në mënyrë arbitrare, por që në njoftim nuk tregohet se në cilën periudhë kohore janë emëruar këta zyrtarë.

“Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit, sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm”, thuhet në njoftimin e MPJD-së në rrjetin social Facebook.
Tutje, në njoftim thuhet se janë duke shqyrtuar hapat e mëtutjeshëm që do t’i marrin ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin, siç kanë thënë, në mënyrë të paligjshme të 11 personave, të cilët janë shkarkuar ditën e mërkurë.