Gjashtë ditë nga fatkeqësia që goditi Turqinë dhe Sirinë, mbi 24 mijë të vdekur

Këtë të shtunë bëhen gjashtë ditë prej kur ka ndodhur tërmeti në Turqi, që përfshiu edhe Sirinë. Nga ajo ditë qytetarët kanë jetuar nën rrënoja, e më shumë se 24 mijë prej tyre kanë vdekur. Ndërsa, ndihmat nga shtetet e tjera nuk kanë munguar

Pasojat e tërmetit në Turqi

Të shtunën e 11 shkurtit bëhen gjashtë ditë prej kur tërmeti tragjik e goditi Turqinë duke përfshirë edhe një pjesë të Sirisë.

Ky tërmet nga ajo ditë ka lënë më shumë se 24 mijë persona të vdekur, të cilët u gjetën nën rrënoja nga ekipet e kërkim-shpëtimit, kështu bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) e kishte bërë një parashikim që numri i të vdekurve mund të tejkalojë shifrën 20 mijë.

Puna e ekipit të kërkimit të FSK-së

Forcat e Sigurisë së Kosovës(FSK) kishin dërguar një ekip të kërkim-shpëtimit për në Turqi, një ditë pasi tërmeti goditi vendin, të martën.

FSK dërguan një ekip të profesionalizuar për të kërkuar në rrënojat e qytetit turk, e puna e tyre pas arritjes ishte efektive. Kjo pasi ekipi i FSK- së arritën duke kërkuar të shpëtojnë një fëmijë 2- vjeçar, e më pas edhe nënën e tij.

Ekipi i Forcave të Sigurisë së Kosovës po qëndrojnë në Turqi edhe për një kohë që nuk është bërë publike.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, të mërkurën publikoi fotografi të ekipit shqiptar nga Kosova në Turqi, që sqaroi se ata po operojnë në rajonin më të goditur të Turqisë.

Po ashtu, edhe ekipet e Ushtrisë Maqedonase kanë arritur në Turqi për të kërkuar të mbijetuarit, që mbrëmjen e të enjtes Kovaçevski ka publikuar një video ku shihet ky ekip duke shpëtuar një fëmijë 5 vjeçar.

Krahas këtyre ekipeve qëndron edhe ekipi i kërkim- shpëtimit të Shqipërisë, që edhe ky shtet ka dërguar një sërë pjesëtarësh të ushtrisë për ti dalë në ndihmë Turqisë. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vazhdimisht ka publikuar fotografi të ekipit shqiptar nga vendi i ngjarjes.

Numrat emergjentë që shqiptarët mund të kontaktojnë

Numrat emergjent dhe email-i kontaktues

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka publikuar të mërkurën numrat emergjentë, përmes të cilëve shtetasit shqiptarë që banojnë në zonat e prekura nga tërmeti mund të kërkojnë ndihmë.

Këta numra është theksuar se janë në dispozicion 24 orë dhe gjithashtu edhe përmes email-it.

Numrat kontaktues janë: Tiranë (+355) 696 773 168, Stamboll (+90) 539 656 621 9, Ankara (+90) 549 561 198 5.

Ndërsa, email-i kontaktues është: [email protected].

Ndihmat nga shtetet tjera

Pas tërmetit Turqia i bëri menjëherë thirrje Bashkimit Evropian për ndihma.

“Njëzet e shtatë ekipe të kërkim-shpëtimit janë mobilizuar për të kërkuar për të mbijetuar në Turqi”, kështu ka thënë të martën komisionari evropian për Kriza, Janez Lenarçiq.

Ndërsa, ka theksuar se BE solidarizon Turqinë.

“Solidariteti i BE-së është në nivelin më të mirë”, ka shkruar ai në Twitter.

Kësisoj disa vende dërguan ekipe të kërkim-shpëtimit, përfshirë këtu edhe Ukrainën.

Ukraina dërgon punonjës shpëtimi në Turqi

Ukraina po përballet me luftën që nga 24 shkurti i vitit të kaluar, thuajse afro një vit. Por, në këtë situatë ajo zgjodhi të dërgojë ndihma për Turqinë.

Të mërkurën shteti ukrainas ka dërguar një ekip prej 90 vetash të kërkim-shpëtimit dhe një grup të qenve (10) të cilët mund të ndihmojnë në gjetjen e njerëzve.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të mërkurën bëri të ditur se po dërgohen ndihma për Turqinë dhe shtoi se ekipet ishin të specializuara dhe të profesionalizuara për trajtimin e fatkeqësive natyrore.

Mbretëria e Bashkuar dërgon specialistë të kërkim-shpëtimit në Turqi

Edhe Mbretëria e Bashkuar i ka dalë në ndihmë Turqisë pas tërmetit tragjik që goditi vendin. Të martën, ky vend ka dërguar një ekip specialistësh të kërkim-shpëtimit në drejtim të Turqisë.

Aty përfshiheshin rreth 76 specialistë të cilët do të ndihmonin në kërkim te të mbijetuarve.

Një gjë të tillë e ka bërë

Siria pas tërmetit tragjik

Njerëz të ulur mbi rrënojat e ndërtesave të shembura, në Aleppo, Siri ( Shkurt, 2023. Foto: AP)

Siria është gjithashtu një nga vendet e përfshirë në këtë tërmet veçmas në pjesën që gjendet në kufi me Turqinë.

Edhe në Siri numri i të vdekurve është i lartë, që ka kaluar shifrën prej afro 11 mijë.

Megjithatë Siria nuk kërkoi menjëherë ndihmë nga Be- ja për shkak të sanksioneve, por të mërkurën e 8 shkurtit erdhi nga Siria një thirrje e tillë për ndihmë.

Po atë ditë, shtetet nisën ndihma për sirianët.

Ishin Iraku, Irani, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti ata të cilët nisën ndihma për Sirinë.

Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad, ka vizituar të premten një spital në qytetin e Alepos, i cili ishte një nga zonat më të goditura nga tërmeti të hënën.

Kjo ka qenë edhe vizita e parë e raportuar e Asad në një zonë të prekur nga tërmeti.

Reagimet e krerëve të shteteve

Ndër reagimet më të rëndësishme të krerëve është ai i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili shpalli ditë zie për tre muaj në provincat apo zonat që u përfshinë më shumë nga tërmetet.

Presidenti Erdogan mbërrin në Hatay të Turqisë

Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilisi.

Ndërkaq, të mërkurën Erdogan vizitoi familjet, qytetarët dhe zonat që u prekën më shumë nga tërmetet.

Gjatë vizitës ai mbajti një konferencë për media që u shpreh se do të mbështetë qytetarët dhe premtoj nga 10 mijë lira për qytetarët nga qeveria.

Ai ka theksuar se nuk do të harrohet asnjë familje dhe sipas tij vendi shumë shpejt do të ndërtohet.

Erdogan edhe të premten e 10 shkurtit ka vizituar zonat e prekura nga tërmeti dhe ka theksuar se familjeve do tu sigurohet qiraja dhe vendi i banimit nga shteti.

Erdogan për tërmetin: Po përballemi me fatkeqësinë më të madhe, do të shuajmë këtë zjarr

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Turqia po përballet me fatkeqësinë më të madhe në histori. Ndërsa, ka theksuar se  vendi është i vendosur për të shuar zjarrin

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vizituar të premten disa nga provincat më të prekura nga tërmeti që goditi të hënën Turqinë.

Ai ka premtuar se do tu sigurojnë qiranë dhe banimin të gjithë qytetarëve të vendit.

Ndërsa ka theksuar, se kjo paraqet fatkeqësinë më të madhe në histori, që sipas tij Turqia është e vendosur të shuajë këtë zjarr.

Ai ka theksuar se Turqia do të mbrojë unitetin dhe solidaritetin, ndërsa ka shtuar se do të kalohet kjo fatkeqësi.

“Si komb, po përballemi me një nga fatkeqësitë më të mëdha në historinë tonë. Por ne jemi të vendosur ta shuajmë këtë zjarr në zemrat tona.Për sa kohë ne mbrojmë unitetin dhe solidaritetin tonë më të fortë. Do ta kalojmë edhe këtë fatkeqësi, in sha Allah…”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Pas tërmetit në Turqi pati reagime edhe nga krerët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe gjitha vendeve tjera.

Madje, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën e 8 shkurtit, në shenjë nderimi me viktimat dhe të humburit nga tërmeti në Turqi e Siri, e shpalli ditë zie këtë ditë.

Disa nga rrëfimet më tronditëse të bëra publike në mediat sociale pas tërmetit

Që nga e hëna janë raportuar shumë raste të ndjeshme të cilat kanë tronditur njerëzit, raste të shumta ku shihen foshnjat e porsalindura duke u nxjerrë nga rrënojat, pamje ku shihen fëmijët të mbuluar nga pjesë të ndërtesave, e shumë raste të rënda.

Ndër rastet e raportuara të premten e 10 shkurtit është kur një i porsalindur dhe nëna e tij janë shpëtuar nga rrënojat pas katër ditësh prej kur tërmeti tragjik e goditi Turqinë.

I porsalinduri dhe nëna shpëtohen nga rrënojat pas katër ditësh

Momenti kur foshnja shpëtohet nga rrënojat (Foto: BBC)

Rreth 90 orë pas tërmetit tragjik që goditi të hënën Turqinë, është shpëtuar një foshnjë e porsalindur dhe nëna e tij nga rrënojat.

Djali i quajtur Yagiz, u mor nga një strukturë e rrënuar në provincën Hatay.

Pamjet e kanë paraqitur fëmijën duke u nxjerrë me kujdes gjatë natës në një batanije termike dhe më pas u dërgua në një ambulancë.

Ndërkaq, nënën e tij e kanë nxjerrë me barelë. Nuk kishte përditësime të mëtejshme të disponueshme menjëherë për shëndetin e të dyve, shkruan BBC.

Gjithashtu të premten ka qenë një rast që është shpëtuar një 10-vjeçare  nga ekipet e kërkim-shpëtimit gati pas 90 orësh nën rrënoja.

10-vjeçarja u gjet e gjallë nën rrënoja 90 orë pas tërmetit në Turqi

FOTO: apa.az

Një vajzë 10-vjeçare u gjet e gjallë 90 orë pas tërmetit tragjik në Turqi.

Kështu ka bërë të ditur Departamenti i Zjarrfikësve të Antalias të enjten.

10-vjeçarja ishte e bllokuar nën rrënojat e një ndërtese në provincën Hatay.

Ekipi i shpëtimit “dëgjoi zhurmën nga nën rrënoja” dhe ishte në gjendje të shpëtonte Sağlam “si rezultat i një pune të përpiktë 7-orëshe në rrënojat”, thuhej në deklaratë.

“Vajza e plagosur, e cila u dërgua në barelë me shumë gëzim dhe duartrokitje, është dërguar në spital për mjekim me autoambulancë”, ka vijuar deklarata e zjarrfikësve.

“Gjëja e parë që ajo kërkoi pas shpëtimit të saj ishte qumështi”, thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, të enjten ka qenë një rast ku është shpëtuar nëna dhe fëmija 6-vjeçar nga ndërtesa e shembur, gjë e cila ndodhi 70 orë pas tërmetit tragjik që goditi Turqinë.

Nëna dhe fëmija 6-vjeçar shpëtohen nga ndërtesa e shembur gati 70 orë pas tërmetit në Turqi

Një nënë dhe vajza e saj gjashtë vjeçare u shpëtuan të gjallë nga një shtëpi e shembur në qytetin turk të Kahramanmaraş të enjten, 68 orë pas tërmetit me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën.

Organizata gjermane e ndihmës fire, që punon së bashku me organizatën britanike të ndihmës SARAID, ka thënë në një  deklaratë se nëna dhe fëmija ishin vendosur në rrënojat e ndërtesës së shembur rreth orës 5 të mëngjesit me orën lokale të së mërkurës.

“Për gati 20 orë, punonjësit e ndihmës në rast fatkeqësish punuan përmes rrënojave. Duke përdorur pajisje të rënda dhe punë manuale, detyra ishte krijimi i një tuneli përmes rrënojave në mënyrë që të mund të shpëtonin nënën dhe fëmijën”, thuhet në deklaratë.

Ndër rastet e përmendura ishte edhe momenti kur ekipi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), bëri përpjekje për të shpëtuar një fëmijë 2-vjeçar dhe nënën e tij, gjë të cilën e arritën më pas.

“Nga informatat e fundit që i kemi, këta kanë arritur me ekipet tona t’i detektojnë disa prej njerëzve në rrënoja, dektektimi është i rëndësishëm, në momentin që detektohet masat për nxjerrje janë më të lehta”, ka thënë për RTV Dukagjinin, shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, gjenerali Sefer Isufi.

Pas një pune të tillë që po bënte ekipi i kërkim-shpëtimit i FSK-së, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka theksuar se ekipi i FSK-së u ka dhënë prioritet vendeve që janë detektuar persona të gjallë.

“Në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dyvjeçare, dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj, që është e ngujuar në rrënoja. Ekipet tona gjatë operacionit kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por prioritet është duke u dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë”, ka thënë ai.

FSK e shpëton një fëmijë 2 vjeç në Turqi

 

 

 

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika