Një person që po udhëtonte nga Aeroporti i Prishtinës është arrestuar pasi në valixhen e tij janë gjetur 20 fishekë arme.

Policia ka hapur një hetim për armëmbajtje pa leje, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në raportin e Policisë së Kosovës (PK), bëhet e ditur se një njësit policor ka realizuar kontrollin e valixhes së një të dyshuari mashkull kosovar, ku janë sekuestruar 20 fishekë të armës së zjarrit.

Pas konsultimit me prokurorin, është iniciuar lënda e rastit dhe i dyshuari është liruar sipas procedurës ligjore.

“Njësiti policor gjatë kontrollit, në valixhen e të dyshuarit mashkull kosovar, ka gjete dhe sekuestruar 20 copë fishekë të armës së zjarrit. Në konsultim me prokuronin është iniciuar lënda e rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.