Në bastisjen e një shtëpie private, Policia e Kosovës ka gjetur sërish disa thasë me rërë, që dyshohet se kanë qenë aty që nga koha e barrikadave në vitin 2022.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili ka thënë se hyrjen në atë shtëpi e kanë bërë në prezencë të pronarit të shtëpisë.

Po ashtu, ai ka thënë se pronari i asaj shtëpie ka qenë edhe pronar i shtëpisë ku të martën janë konfiskuar disa pajisje të lojërave të fatit.

“Sot rreth orës 14.00, policia në vazhdën e hetimeve të rastit të djeshëm ka ndërhyrë edhe tek një shtëpi private, ku ka hasë në thasë të tjerë me rërë e që besohet të kishin qenë aty që nga koha e barrikadave në vitin 2022. Hyrjen në atë shtëpi e kemi bërë në prezencë të pronarit të shtëpisë, i cili njëherësh është edhe pronar i shtëpisë ku dje i kemi konfiskuar disa pajisje të lojërave të fatit”, ka thënë Elashni.

Ndërsa, sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e veriut, pronari i shtëpisë tashmë është duke u intervistuar.