Orët e mbrëmjes të hënën sollën një lajm të kobshëm për Gjilanin dhe jo vetëm.

Një burrë i moshës 66-vjeçare u gjet i vdekur në një objekt banesor.

Televizioni merr vesh se institucionet kanë indikacione se ai ka vdekur si pasojë e një aksidenti në ashensor, i cili e ka zënë trupin e tij.

Dyshimet janë se trupi i viktimës gjendej poshtë ashensorit që nga koha kur familja e ka raportuar si të zhdukur në janar.

Trupit i tij dyshohet se është gjetur pasi banorët kanë lajmëruar policinë kur ambienti ka marrë aromë të pazakontë.

Viktimës i janë gjetur me vete rreth 90 mijë franga dhe tre telefona në xhep.

Lajmin për vdekjen e ka konfirmuar Policia.

“E ka pranuar informatën se në bodrumin e një ashensori këtu në një banesë në Gjilan, në rrugën e Kamenicës, është gjetur një trup pa shenja jete. Njësitet policore kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes, policia I ka thirrur njësitet përkatëse dhe mjekun që ka konfirmuar vdekjen”, tha Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë në Gjilan.

Prokuroria konfirmon se bëhet fjalë për një person që ka qenë i raportuar si i zhdukur teksa bëjnë me dije se trupi është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Sipas kërkesës suaj, ju njoftojmë se më 26 shkurt 2024, në një objekt banesor në Gjilan, është gjetur trupi i pajetë i një personi (1958), i cili ishte paraqitur si person i zhdukur më 09 Janar 2024. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsies”, thonë nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Përndryshe, për zhdukjen e biznesmenit Musa Hamiti ka pasur një sërë raportimesh muajin e kaluar, me ç’rast dy shtetase të Shqipërisë janë arrestuar si të dyshuara për rrëmbimin e tij, meqë ishin personat e fundit që kanë qëndruar me viktimën.

Me avokaten e njërës nga të dyshuarat ka biseduar të martën Dukagjini, por ajo ka deklaruar se është ende herët për t’u deklaruar pas zhvillimeve të fundit për këtë rast.