Gjatë ditës së sotme është gjetur i vdekur edhe një pjesëtar i grupit terrorist që e sulmuan Policinë e Kosovës në veri.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, i cili tha se “është gjetur edhe një trup i pajetë sot, rreth 1.5 kilometra larg vendit të incidentit”.

Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga grupe terroriste në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku, kurse një tjetër polic u plagos dhe një u lëndua.

Pas aktit terrorist, rreth 30 persona të armatosur u fshehën në Manastirin në Banjskë. Policia e Kosovës ftoi personat e armatosur të dorëzohen, por ata vazhduan me sulme ndaj policisë.

Policia njoftoi gjatë ditës së diel se janë vrarë tre sulmues, si dhe ka arritur të arrestojë dy sulmues dhe katër persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në sulmin terrorist.