Gjeneral Jashari kërkon anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën e 28-të të Kartës së Adriatikut A5, e cila u mbajt në Tiranë. Tema kryesore e konferencës ishte forcimi i sigurisë rajonale dhe sfidat e përbashkëta të Ballkanit Perëndimor. Konferenca u udhëhoq nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë […]
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën e 28-të të Kartës së Adriatikut A5, e cila u mbajt në Tiranë.
Tema kryesore e konferencës ishte forcimi i sigurisë rajonale dhe sfidat e përbashkëta të Ballkanit Perëndimor.
Konferenca u udhëhoq nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM) dhe njëkohësisht Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), ndërsa bashkëkryesohej nga Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Në punime morën pjesë shefat e mbrojtjes të vendeve të rajonit dhe Adjutantët e Përgjithshëm të Gardave Kombëtare të shteteve partnere.
Në fjalën e tij, gjeneral Jashari theksoi se Kosova duhet të bëhet anëtare e plotë e Kartës së Adriatikut A5, duke vlerësuar se kjo do të sillte më shumë paqe dhe siguri në rajon.
“Gjatë adresimit, GLT Jashari edhe kësaj radhe theksoi nevojën dhe rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë nismë. Ky veprim do të sillte më shumë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Gjatë konferencës, ai zhvilloi takime bilaterale me Komandantin e EUCOM-it dhe SACEUR-in, gjeneral Alexus G. Grynkewich, si dhe me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.
Në përmbyllje, shtetet pjesëmarrëse u pajtuan se nisma të tilla janë të domosdoshme për forcimin e bashkëpunimit dhe adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.















