Gjermania ka nisur prodhimin në seri të më shumë se 5 mijë dronëve luftarakë me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, të destinuar për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Prodhimi po zhvillohet në një fabrikë pranë Mynihut, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet kompanisë gjermano-amerikane Auterion dhe kompanisë ukrainase Airlogix. Njësitë e para tashmë janë prodhuar, ndërsa kontrata pritet të përmbushet deri në mesin e vitit 2027.
Vlera e porosisë së financuar nga Qeveria gjermane llogaritet në rreth 300 milionë euro. Projekti parashikon prodhimin e dy modeleve të dronëve: njëri me rreze të mesme veprimi dhe tjetri i aftë të përshkojë distanca deri në 1,500 kilometra.
Në kuadër të partneritetit, Auterion është përgjegjëse për sistemin operativ dhe softuerin, ndërsa Airlogix merret me komponentët fizikë të dronëve. Sistemet përdorin edhe inteligjencën artificiale, e cila synon t’u mundësojë dronëve të vazhdojnë drejt objektivit edhe në kushtet e ndërhyrjeve nga sistemet e luftës elektronike.
Dronët janë projektuar për sulme njëdrejtimëshe dhe bartin eksploziv, duke u përdorur për goditjen e objektivave kundërshtare. Prodhimi i tyre në shkallë të gjerë konsiderohet pjesë e përpjekjeve të Gjermanisë për të rritur mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës.
Drejtuesi i Auterion, Lorenz Meier, ka bërë të ditur se me këtë projekt Gjermania tashmë ka një linjë prodhimi që mundëson sigurimin në sasi të mëdha të armëve precize me kosto relativisht të ulët. Sistemet e para pritet t’i dorëzohen Ukrainës gjatë këtij viti.
Përveç fabrikës pranë Mynihut, është planifikuar që prodhimi të zgjerohet edhe në një lokacion të dytë në pjesën lindore të Gjermanisë. Kompanitë presin gjithashtu porosi të tjera dhe bashkëpunim afatgjatë.
Prodhimi i ri vjen në një kohë kur Berlini dhe Kievi po thellojnë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, veçanërisht në zhvillimin dhe prodhimin e dronëve dhe sistemeve të tjera pa pilot.