Gjermania pret marrëveshje në Ohër për zbatimin e propozimit evropian

Gjermania pret që në takimin e radhës mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, palët të arrijnë marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve

Flamuri gjerman i vendosur para ndërtesës së Dhomës së Ulët të Parlamentit gjerman në Berlin.

Gjermania pret që në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që mbahet në Ohër më 18 mars – palët do të arrijnë marrëveshje për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Ambasada gjermane në Beograd ka thënë se avancimi drejt integrimit evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor është synim i Procesit të Berlinit, por në rastin e Kosovës dhe Serbisë ka një pengesë në këtë rrugë.

“Raportet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të paraqesin pengesë. Takimi i ri i nivelit të lartë në Ohër, shënon një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të kësaj pengese dhe avancimit në rrugën evropiane”, thanë nga Ambasada gjermane për REL-in.

Në takimin e Ohrit, palët pritet të diskutojnë për planin e zbatimit të propozimit të BE-së.

Sipas Berlinit zyrtar, propozimi evropian për normalizimin e raporteve, për të cilin, ranë dakord më 27 shkurt kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, synon të krijojë një bazë të qëndrueshme dhe besueshme për raportet mes dy shteteve.

“Që kjo të ketë sukses, të dyja palët duhet të pajtohen të zbatojnë marrëveshjen”, thanë nga Ambasada gjermane në përgjigjen dërguar REL-it.

Pavarësisht se e pranuan propozimin dhe u pajtuan se nuk ka nevojë për negocim të mëtejmë, Kurti dhe Vuçiq nuk e kanë nënshkruar dokumentin prej 11 nenesh.

Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Ndërsa, të martën, Kurti ka thënë se në takimin në Ohër do të diskutohet për planin e zbatimit të marrëveshjes, por nuk është shprehur optimist se gjithçka do të përfundojë në takimin e 18 marsit, pasi, sipas tij, mund të ketë diskutime edhe në ndonjë vend tjetër.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika