Gjetjet e Prokurorisë lidhur me rastin e vdekjes së Marigona Osmanit

Prokuroria Themelore e Ferizajt posedon prova se Dardan Krivaqa e kishte dhunuar Marigona Osmanin, duke e dërguar me forcë në banjon e banesës, sado që në pamjet kamerave e ndjera shihet duke rezistuar. Sipas prokurorisë, Arbër Sejdiu, ishte kujdesur që dhuna që po zhvillohej ndaj 18-vjeçares të mbahej fshehur

I pandehuri Dardan Krivaça

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

RTV Dukagjini ka siguruar aktakuzën e plotë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda.

I pandehuri Dardan Krivaça, sipas aktakuzës, më 21 gusht të vitit 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e saj e detyron Marigonën të kryejë marrëdhënie seksuale.

“Përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon,  pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës thuhet se i pandehuri me këtë rast ka kryer veprën penale “Dhunimi nga neni 227 paragrafi i katërt nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafimin e 1 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.

Kurse, i pandehuri Arbër Sejdiu, dyshohet se ka kryer veprën penale “ndihmë në kryerjen e Dhunimit nga neni 227 par. 4 nën par. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të KPRK-së”.

Sipas aktakuzës, më 21 gusht të vitit 2021, në banesën e të pandehurit të parë “me dashje i ndihmon në kryerjen e veprës penale të dhunimit”.

“Fillimisht kontaktojnë përmes telefonit dhe takohen në qytet, pastaj së bashku kthehen në banesë, ku i pandehuri Arber posa mbërrijnë duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani me dashje merr veprime me të cilat lehtësohet kryerjen e dhunimit, ashtu që së bashku menjëherë hyjnë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilën veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë”.

“Po ashtu dhe gjatë asaj kohe përcjell gjendjen nëse ndonjë nga banoret është duke lëvizur aty pari, po ashtu edhe disa herë del nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, gjatë gjithë kohës bisedojnë mes vete dhe i jap të pandehurit Dardan Krivaça telefonin për të thirrur kompaninë e cila menaxhon kamerën, që është e vendosur në korridorin e banesës me qëllim të fshihen video- incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale”, thuhet në aktakuzë.

Pos kësaj, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë  nga neni 173 par. 1 nën par. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”.

Siç theksohet në aktakuzë, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaça, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi, e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

“Në atë mënyrë që në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë”.

“Të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”, vijon aktakuza.

Gjetjet e Prokurorisë

 Pas analizimit të provave të lartcekura sipas aktakuzës thuhet se prokuroria ka ardhur në përfundim se në veprimet e të pandehurve manifestohen të gjitha elementet e figurës së veprave penale në drejtim të të cilave është ngritur aktakuza.

Nga provat e konstatuara, sipas vendimit, prokuroria ka ardhur në përfundim që në mes Krivaçës dhe Osmanit ka pasur marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj, gjë që sipas prokurorisë vërtetohet nga video- incizimet e marra në vendin e ngjarjes.

Bazuar në aktakuzë, në këtë video- incizim shihet se e ndjera në fillim edhe pse nuk është plotësisht e orientuar reziston dhe shpreh qartë dhe në mënyrë serioze, se nuk është e pëlqimit për të kryer akt seksual ose për ta vazhduar atë.

Por, i pandehuri me forcë e dërgon në banjë derisa e njëjta është lakuriq.

“Fakt ky që vërtetohet nga video- incizimet ku i pandehuri shihet në dy raste duke e bartur për shkak se nuk është në gjendje të lëvizë vetë, e dërgon në banjë të ndjerën e cila është lakuriq, po ashtu vërehet se e njëjta ka lëndime në kofsh, gjithashtu edhe në raportin e autopsisë së të ndjerës në konkluzion III, ceket se lëndimet e përshkruara në pikat 1 paraqesin hematomë, ndërsa dëmtimet e përshkruara në pikat 2 mbi lëndimet e freskëta paraqesin dërrmishje dhe gërvishtje lëkurore”.

Po ashtu, edhe substanca – barna Tradamol, që gjatë ekzaminimit është gjetur në trupin e së ndjerës e cila si afekt të zakonshëm anësor ka marrie mendsh, çrregullime të koordinimit, çrregullime të përqendrimit, është fakt që tregon se e njëjta nuk ka qenë në gjendje të ketë kontroll mbi veten e saj.

“Se gjatë marrëdhënies seksuale është përdorur forca, vërtetohet nga video- incizimet, si dhe fotot e bëra nga njësia e forenzikës, ku vërehen në tërë trupin e së ndjerës, hematome, si dhe dërrmishje”.

“Po ashtu gjatë dhunimit është përdorur edhe një kabllo e zezë për mbushje të telefonit, e cila e kishte të dëmtuar kokën hyrëse, e në bazë të dëmtimeve trupore rezulton se e njëjta është përdorur nga i pandehuri Dardan Krivaça, gjithashtu fakti se në shtratin ku ka qenë e ndjera është gjetur ujë e po ashtu janë gjetur shishe, të zbrazura dhe gjysmë të zbrazura, është rrethanë që tregon se i pandehuri me qëllim që e njëjta t’i ndiej sa më shumë dhimbjet ujin e ka përdorur për ta këndell”.

Nga të gjitha këto prova prokuroria ka ardhur në përfundim se nga i pandehuri Dardan Krivaça është kryer vepra penale Dhunimi nga neni 227 par. 4 nën par 4.1 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Në anën tjetër, nga provat e lartcekura prokuroria ka ardhur në përfundim se i pandehuri Arbër Sejdiu, ka ndihmuar të pandehurin Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale dhunimi, gjegjësisht duke krijuar kushte për vazhdimin e kryerjes së veprës penale të dhunimit.

“Kjo bazuar në faktin se posa hynë në banesën e këtij të fundit menjëherë hynë në dhomë, ku gjendej tani e ndjera Marigona Osmani, e cila aty është lakuriq dhe i vërehen dëmtimet trupore, aty i njëjti hyn dhe del disa herë dhe gjatë gjithë kohës bisedojnë me Dardanin, po ashtu vetë prania e të pandehurit Arbër Sejdiu, në dhomë ku ka qenë e ndjera duke u dhunuar është formë e ndihmës, pasi në njërën anë krijon siguri te kryesi e në anën tjetër pasiguri te viktima, meqenëse e njëjta nuk ka guxuar për të bërë rezistencë, e po ashtu fakti se banesa e të pandehurit Arbër Sejdiu, nga banesa ku është kryer vepra penale është rreth 600 metra, gjegjësisht  më pak se 10 minuta këmbë dhe qëndrimi i tij gjatë gjithë natës në banesën e të pandehurit, tregon qëllimin e tij për t’i ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale”.

Sipas gjetjeve të prokurorisë, thuhet se fakti se të njëjtit me qëllim të fshihen provat e veprës penale nga ia jep telefonin për të kontaktuar me kompaninë “Syri i Shqiponjës”, e cila menaxhon video incizimet nga kamerat e vendosura në banesën në fjalë.

“Fakt ky që vërtetohet edhe nga ditari i punës i kompanisë në fjalë si dhe vetë mbrojtja e të pandehurit, po ashtu herë pas here, përmes vrimës së derës së hyrjes në banesën në fjalë shikon nëse ndokush është duke u interesuar se çka është duke ndodhur në banesë, del nga banesa, shkon blen gjëra ushqimore për të pandehurin dhe për vete gjatë natës, kur edhe nga i pandehuri Dardan Krivaça kryhet dhunimi”.

Se është kryer vepra penale Vrasja e rëndë në bashkëkryerje “vërtetohet nga fakti se në orën 10:56, i pandehuri Dardan Krivaça, nga radiatori, merr një shkop ngjyrë të zezë dhe hyn në dhomë, ku aty hyn edhe i pandehuri Arbër Sejdiu”.

Nga informacionet e personit të marra nga Policia e Kosovës vërtetohet se i pandehuri Dardan Krivaça është i dyshuar që nga viti 2006 për kryerjen e 133 (njëqind e tridhjetë e tre) veprave penale të ndryshme, po ashtu vërtetohet se i pandehuri Arbër Sejdiu është i dyshuar për disa vepra penale të ndryshme.

“Për këto arsye, konsiderojmë se kjo aktakuzë është e bazuar mirë dhe e ligjshme, andaj me të drejtë gjykatës i propozojmë që pas shqyrtimit të gjithanshëm të provave të grumbulluara, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale që iu vë në barrë me këtë aktakuzë dhe të njëjtëve t’iu shqiptojë nga një sanksion penal të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika