Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka kërkuar heqjen e Testit të Arritshmërisë, duke vlerësuar se ky mekanizëm ka dështuar në qëllimin për të cilin është krijuar dhe nuk paraqet gjendjen reale të cilësisë së arsimit në vend.
Në një postim në Facebook, Gjini ka thënë se testi fillimisht ishte menduar si një instrument për të vlerësuar performancën e sistemit arsimor dhe jo për të testuar nxënësit individualisht.
Sipas tij, mënyra aktuale e organizimit të testit ka krijuar presion të madh te nxënësit dhe prindërit, ndërsa ka krijuar pabarazi mes nxënësve që përgatiten dhe atyre që arrijnë rezultate përmes kopjimit.
“Testi është duke dështuar tash e sa vite, sepse është mekanizëm që streson fëmijët dhe prindërit, i streson ata nxënës që dinë e nuk kopjojnë, ndërsa në të njëjtën kohë i faktorizon ata që nuk dinë dhe kopjojnë”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka kritikuar rezultatet që prodhon ky test, duke thënë se ato nuk japin një pasqyrë reale të nivelit të dijes së nxënësve dhe cilësisë së arsimit.
“Ky test është falsifikim i plotë”, ka thënë Gjini.
Duke iu referuar rezultateve të këtij viti, ku shkalla e arritshmërisë ishte 48.35 për qind, ai ka thënë se kjo tregon se testi nuk po e përmbush funksionin e tij.
Gjini ka kërkuar që Testi i Arritshmërisë të hiqet dhe të zëvendësohet me forma të tjera vlerësimi që, sipas tij, do të mundësonin matjen më të saktë të cilësisë së sistemit arsimor.