Gjini mbështet marshin më 12 shtator: Do të jem aty dhe do të flas

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tij për “Marshin për Liri”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, më 12 shtator në Prishtinë.

Gjini ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e marshit dhe se do të mbajë edhe fjalim.

“Po. Unë e kam konfirmuar se do të flas, është kërkuar prej meje. Patjetër që do të jemi aty”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka theksuar se organizimi nuk duhet të shihet vetëm si mbështetje për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, por si një përpjekje për mbrojtjen e historisë së Kosovës dhe luftës për liri.

“S’ka të bëjë kjo me Hashim Thaçin, as me Kadri Veselin, as me Jakup Krasniqin, as me të tjerët. Fushata është për baltosjen e tregimit tonë për lirinë tonë”, ka thënë Gjini.

“Marshi për Liri” do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, katër ditë para se Dhomat e Specializuara në Hagë të shpallin vendimin përfundimtar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Platforma “Liria ka Emër” e ka organizuar marshin nën moton “Kosova po pret”.

 

Të fundit nga rubrika