Një rast i dyshuar për ngacmim seksual është raportuar në fshatin Damian të Gjakovës, ku drejtori i një shkolle, dyshohet se ka ngacmuar një vajzë të mitur.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se i njëjti është pezulluar nga puna dhe se janë në dispozicion për bashkëpunim me organet e rendit që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor, njofton Dukagjini.
“Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor. Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka shkruar Gjini.