Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me zhvillimet politike dhe afatet për zgjedhjen e presidentit.
Gjini thotë se data 27 dhjetor ka qenë pikë kyçe e zhvillimeve të fundit dhe se, nga kjo datë, kanë nisur afatet që mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve.
“Ju kemi thënë, po e ndjekin datën 27 dhjetor. Prej sot, 60 ditë afat për zgjedhje të presidentit, plus deri në 45 ditë zgjedhjet. Tash e ka 27 dhjetorin që e ka kërkuar”, ka shkruar Gjini.
Ai ka theksuar se, sipas tij, problemi nuk ka qenë te emrat e përmendur gjatë procesit, por te arritja e afatit të 27 dhjetorit.
“Nuk kanë pasur problem as me Vlora Çitakun as me Kujtim Shalën, as me ‘popullin serb’. Problemi ka qenë me e mbërri datën e sotme. Afatin”, ka shkruar kreu i Aleancës.
Gjini ka vazhduar me kritika të ashpra ndaj kundërshtarëve politikë, duke deklaruar se qytetarët tashmë e kanë kuptuar, siç shprehet ai, se bëhet fjalë për “mashtrim dhe manipulim”.
“Tashmë qytetarët e dinë se është mashtrues e manipulator”, ka shkruar Gjini.
Në fund, kreu i Aleancës ka bërë thirrje që të mos ketë frikë nga zgjedhjet, duke lënë të hapur mundësinë e një procesi të ri zgjedhor.
“Nëse doni, shkojmë në zgjedhje! Mos u frikësoni prej zgjedhjeve!”, përfundon statusi i Gjinit.