Gjithçka nga përplasja e dronit amerikan dhe aeroplanit rus mbi Detin e Zi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Rusinë për sjellje të pamatur pasi një dron amerikan i vëzhgimit u rrëzua në Detin e Zi pas një përplasjeje me një avion luftarak rus.

ShBA-ja ka thënë se droni po kryente një operacion rutinë në hapësirën ndërkombëtare, kur dy avionë luftarakë rusë tentuan që ta pengonin.

“Droni ynë i llojit MQ-9 ishte duke kryer një operacion rutinë në hapësirën ndërkombëtare kur u pengua dhe u godit nga avioni rus, duke shkaktuar rrëzimin dhe shkatërrimin e plotë të dronit MQ-9”, ka thënë gjenerali i forcave ajrore amerikane, James Hecker.

Ushtria amerikane tha se “ky ishte një veprim joprofesional dhe i pasigurt i rusëve”.

Hecker tha se në incident u përfshinë dy avionë rusë të llojit Su-27.

Një prej avionëve luftarakë rusë goditi helikën e dronit MQ-9, shtoi Hecker.

Incidenti ka ndodhur në orën 07:03 të së martës dhe ka detyruar ushtrinë amerikane që ta rrëzojë dronin e saj “në ujërat ndërkombëtare”.

Hecker tha se avionët e SHBA-së dhe të aleatëve “do të vazhdojnë të operojnë në hapësirën ndërkombëtare” dhe u bëri thirrje rusëve “që të sillen në mënyrë të sigurt dhe profesionale”.

Moska mohon se avionët kanë pasur kontakt me dronin

Por, Moska insistoi se avioni i saj nuk kishte armë në bord e as nuk kishte kontakt me dronin amerikan.

Autoritetet ruse thanë se sistemi i kontrollit të hapësirës ajrore të Rusisë kishte detektuar dronin MQ-9 të SHBA-së, i cili po fluturonte mbi Detin e Zi, afër Gadishullit të Krimesë, në drejtim të kufirit me Federatën Ruse.

Rusia akuzoi SHBA-në se ka shkelur kufijtë e hapësirës së përkohshme të saj ajrore “të krijuar për shkak të operacionit të posaçëm ushtarak”, apo për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Moska tha se ngriti në ajër avionët pasi u detektua droni, por për shkak të manovrimit të shpejtë, droni MQ-9 “nisi të bënte fluturim të pakontrolluar duke humbur lartësinë dhe u përplas me sipërfaqen e ujit”.

ShBA thërret për sqarim ambasadorin rus

Pas incidentit, ka thirrur në bisedë ambasadorin rus në Uashington për të protestuar për rrëzimin e dronit në Detin e Zi.

“Ne jemi angazhuar drejtpërdrejt me rusët, sërish përmes niveleve të larta, për të shprehur kundërshtimet tona për këtë pengim të pasigurt dhe jopresional, që ka shkaktuar rrëzimin e dronit të SHBA-së”, tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price.

Price tha se ambasadori rus në Uashington është ftuar në DASH dhe ambasadori amerikan në Moskë ka paraqitur “kundërshti të mëdha”. Sipas Price, ky incident paraqet shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar.

Ky incident pason disa veprime të rrezikshme të kryera nga pilotët rusë kur janë takuar me avionët e SHBA-së dhe të aleatëve në hapësirën ndërkombëtare, përfshirë edhe mbi Detin e Zi, u tha në deklaratën e ushtrisë amerikane.

Forcat amerikane në mënyrë rutinore kryejnë fluturime në mbarë Evropën, mbi territore sovrane dhe përmes hapësirës ndërkombëtare, në koordinim me shtetet nikoqire dhe me ligjet ndërkombëtare, u tha në deklaratë.

Ndërkaq, zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se autoritetet amerikane do t’ua bëjnë të ditura zyrtarëve rusë shqetësimet e Uashingtonit lidhur me dronin.

Kirby po ashtu tha se droni nuk paraqiste asnjë rrezik dhe theksoi se ai po operonte në hapësirën ndërkombëtare.

Ai shtoi se “presidenti [amerikan, Joe Biden] është informuar” për këtë incident.

Kirby tha se ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji, por është i pari që ka detyruar që SHBA-ja të rrëzojë një fluturake në Detin e Zi.

“Për një vit ne vazhdimisht kemi fluturuar mbi atë hapësirë dhe do të vazhdojmë të bëjmë një gjë të tillë”, shtoi ai.

Ndërkaq, komandanti i lartë i NATO-s është informuar nga aleatët lidhur me incidentin mbi Detin e Zi.

“Gjenerali Christopher Cavoli është informuar sot nga aleatët e NATO-s lidhur me incidentin”, tha një zyrtar i aleancës perëndimore ushtarake.

Dronët MQ-9, kryesisht janë fluturake pa pilot, të dizajnuara të kryejnë fluturime të gjata dhe të bëjnë vëzhgime nga lartësi të mëdha.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika