Gjithçka nga vizita e diplomatëve në Prishtinë e Beograd

Pas një takimi prej më shumë se dy orësh me Kryeministrin Kurti, Lajçak ka theksuar se ka pritur mirëkuptim të mundësisë që jep propozimi i BE-së, teksa ka shtuar se shpreson të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi. Ndërkaq, nga takimi me Vuçiq, Lajçak tha se Vuçiq tregoi “një qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane për Serbinë”

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe katër zyrtarët tjerë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Foto Mehmet Krasniqi nga RTV Dukagjini

“Kemi pritur mirëkuptim të mundësisë që ofron propozimi i BE-së”.

Kështu kishte deklaruar i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ishte ora 10;00 e mëngjesit të së premtes së 20 janarit kur pesë emisarët ndërkombëtarë arritën në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’u takuar me Kryeministrin, Albin Kurti.

Kjo pesshja ndërkombëtare përbëhej nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Pas një takimi prej më shumë se dy orësh, Lajçak ka theksuar se ka pritur mirëkuptim të mundësisë që jep propozimi i BE-së, teksa ka shtuar se shpreson të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi.

“Qëllimi i këtij takimi ishte të diskutojmë për normalizim, kemi më shumë se dy orë me kryeministrin, takimi ishte i gjatë, jo i lehtë. Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë, pasi e dini që do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk mund të them shumë. Kemi pritur mirëkuptim të mundësisë që jep ky propozim, shpresojmë të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi”, ka deklaruar Lajçak.

Ky i fundit e cilësoi vizitën e tij si një “sinjal” për të treguar se sa të vendosur janë ndërkombëtarët në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë.

Se propozimi i BE-së është parë si bazë e mirë diskutimesh u tha edhe njëherë nga vet Kurti.

“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër. U diskutua edhe për të drejtat e pakicave, për çka kryeministri ka shprehur konsideratën edhe në kornizën e përgjithshme për marrëveshje të propozuar nga vetë ai me 18 gusht 2022 në Bruksel. Kryeministri Kurti, ndër të tjerash, theksoi nevojën e Kosovës për njohjen nga shtetet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata kyçe ndërkombëtare dhe trans-atlantike”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Një vizitë e këtij  grupi ndërkombëtar iu bë edhe Beogradit.

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serb është element kyç për stabilitet.

Lajçak tha se Vuçiq tregoi “një qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane për Serbinë”, shkruan “N1”.

Një dëshirë për një përfundim të shpejtë të një marrëveshjeje në mes Kosovës dhe Serbisë u pa edhe nga ana e Escobar.

Ky i fundit ka thënë se nuk ka një afat zyrtar për arritjen e e marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por dëshira është që procesi të përfundojë sa më shpejt.

“Ne do të donim një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do ta kishim nesër, do ta pranonim nesër. Nëse duhen dy vjet, atëherë dy vjet. Por ne duhet të lëvizim shpejt, sepse çdo konfrontim që shohim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është Gjithnjë e më i rrezikshëm. E fundit, mosmarrëveshja për barrikadat mund të ketë qenë e dhunshme dhe prandaj duhet të punojmë urgjentisht për të. Ajo që dua të shoh në fund të procesit është përkushtimi i Bashkimit Evropian për zgjerimin. për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor pikërisht në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian në një periudhë të arsyeshme. Me të arsyeshme, nuk nënkuptoj njëzet vjet, dua të them shumë më herët”, ka thënë Escobar për “Euroews Serbia“.

Ndërkaq, ai ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Escobar tha se  “Kurti nuk nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar”, duke theksuar se “një person, një palë nuk mund të shmangë atë. Ky është një detyrim ekzistues. Kosova është pajtuar tashmë si qeveri. Çështja është se si do të zbatohet”, ka thënë Escobar për “Zërin e Amerikës“.

Ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk mund ta shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika