Gjithçka për vota

Ashtu si Big Brother, edhe fushata zgjedhore në Kosovë është e mbushur plot sulme, akuza, intriga, gjuhë të urrejtjes e mosdurueshmëri. Çdo gjë, për të fituar me çdo kusht. Ndërkaq votuesit janë shndërruar në numra beteje ndërmjet partive politike

Partitë politike nuk po lënë gur pa lëvizur, në mënyrë që t’i bindin qytetarët për t’ua dhënë votën. Premtime nga më të ndryshmet, ndër të cilat edhe qesharake dhe të parealizueshme, po dëgjohen në tubime zgjedhore, ndërkohë që partitë “po shtyhen me salla” se cilës iu ka mbushur më shumë.

Po premtojnë, çfarë nuk po premtojnë. Çfarë iu vjen ndërmend e prezantojnë si të mirëqenë, ndonëse shpesh ia huqin, duke mos i pasur informatat e sakta. Megjithatë, në euforinë e zgjedhjeve shitet gjithçka. Lirë e mirë.

Ka nga partitë që po prezantojnë programet e tyre, por ka edhe nga ato që fushatën po e mbështetin në sulmet ndaj rivalëve. Ka nga partitë që përdorin gjuhë të papranueshme ndaj të tjerëve, siç ka edhe nga ato që bëjnë fushatë duke fyer dhe përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj komuniteteve të caktuara brenda shoqërisë. Diqysh si në Big Brother.

Rritja e koeficientit të pagës në sektorin publik qysh në parafushatë ka qenë një ndër premtimet më të përmendura, pa marrë parasysh se në këtë sektor bëjnë pjesë rreth njëzet për qind e të punësuarve, ndërkaq tetëdhjetë për qind janë pjesë e sektorit privat. Po ashtu ka pasur premtime të tjera për rritje pagash për gjysmë e më shumë, por pa vizion të qartë se si do të sigurohen paratë për një gjë të tillë.

Ndërkohë, ka eskaluar gjuha e përdorur nga kryetari i partisë më të madhe. Një gjuhë që në fokus ka parti opozitare, biznesmenë, prokurorë e media.

* * *

Jam i befasur se sa shumë njerëz ende shkojnë nëpër tubime zgjdhore. Qoftë të bartur me autobusë nga një vend në tjetrin, qoftë në mënyrë të tjera, ata çdo ditë mblidhen të dëgjojnë premtime. Më shumë sesa njerëz që përfaqësojnë diçka, me plot halle e probleme, ata janë shndërruar në numra. Në numra beteje ndërmjet partive politike, duke bërë garë se kush ka mbledhur më shumë.

Ndërkohë, tema të rëndësishme nuk përmenden në fushatë dhe për to nuk ofrohet zgjidhje. Ajri i ndotur, pastrimi i bërllogut anembanë vendit nuk janë fare “në rend dite”. Siç nuk është as një plan konkret për nisjen e zbatimit të sigurimeve shëndetësore për qytetarët, një premtim që sillet tash njëzet vjet, por asnjë pushtet nuk ka arritur ta jetësojë. Nuk mungojnë as perla si anëtarësimi direkt në NATO e as projekte infrastrukturore që duken bukur të gjeneruara me inteligjencë artificiale.

Bazuar në fotografitë e sallave plot njerëzs, të cilat i postojnë në rrjetet sociale vetë partitë politike, krijohet përshtypja se të gjitha kanë përkrahje masive. Por, kjo thjesht është e pamundur. Njerëzit nuk votojnë në tubime zgjedhore, por në kuti votimi.

Arsimi dhe shëndetësia janë dy fusha të rëndësishme, në të cilat nuk është bërë sa duhet. Të dyja kanë nevojë për reforma të thella. Por, partitë politike deri tash po premtojnë kryesisht mirëmbajtje të sistemit, jo “prerje” serioze, reformë serioze që do të ndryshonte gjendjen radikalisht. Gjendja nuk ndryshohet vetëm me premtime për rritje pagash, sepse problemet janë shumë më të thella. Megjithatë, partitë nuk preferojnë të merren me to. Më lehtë është të premtohet rrije pagash nga buxheti publik, sesa të prezantohet plan i qartë se si duhet qasur këtyre dy sektorëve.

* * *

Tridhjetë ditë fushatë janë shumë si për partitë politike, ashtu për qytetarët. Më së shumti për dhjetë ditë partitë kanë arritur t’i prezantojnë premtimet e veta. Megjithatë, kështu e thotë ligji – një muaj fushatë.

Po ta kishin përfillur partitë ligjin për çëshje të tjera, si për fushatë, do t’i kishim punët shumë më mirë. Shumë më mirë do të ishim edhe po që se qytetarët do ta vlerësonin pak më shumë votën e tyre, po ta vlerësonin pak më shumë veten, në mënyrë që të mos jenë veç numër në fushatë.

Në dy javët e ardhshme fushata do të intensifikohet, ashtu si dhe premtimet për qytetarët. E rëndësishme është të mos eskalojë gjithçka, duke shndërruar çdo gjë në spektakël, në një Big Brother.

Të fundit nga rubrika